Kosova

Në Prishtinë shënohet 35-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës

Në Europe House u përcollën mesazhe solidariteti me popullin ukrainas, ndërsa BE-ja vlerësoi mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës

Në Europe House në Prishtinë është shënuar 35-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës, në një ceremoni ku u përcollën mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje për popullin ukrainas, katër vjet e gjysmë pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Ngjarja u organizua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Shoqata Ukrainase e Kosovës “Urat e Miqësisë”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe diplomatikë, përcjell albinfo.ch.

Gjatë ceremonisë u theksua mbështetja e vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe rëndësia e vazhdimit të ndihmës politike, ekonomike dhe humanitare për vendin.

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka vlerësuar mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës dhe përafrimin e saj me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, përfshirë masat kufizuese ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Në mesazhet e përcjella gjatë ceremonisë është kërkuar që mbështetja për Ukrainën të vazhdojë dhe të forcohet, ndërsa është rikujtuar rëndësia e solidaritetit ndërkombëtar në mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të saj.

Ukraina shpalli pavarësinë më 24 gusht 1991, ndërsa këtë vit shënon 35 vjetorin në kushte lufte dhe përballjeje të vazhdueshme me agresionin rus.