Kosova

Në Kosovë vazhdon të bie çmimi i naftës, sot rënie për 3 centë

Benzina dhe gazi shënojnë gjithashtu ulje të lehtë ose mbesin të pandryshuara, sipas çmimeve të publikuara nga institucionet përkatëse.

Çmimi i naftës në Kosovë ka shënuar rënie edhe sot, duke u ulur për 3 centë krahasuar me ditën e martë, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit, një litër naftë sot kushton 1.65 euro, ndërsa çmimi i benzinës është 1.39 euro për litër. Ndërkohë, çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar në 0.88 euro për litër.

Për krahasim, të martën çmimi i naftës ishte 1.68 euro, benzina 1.41 euro, ndërsa gazi kishte të njëjtin çmim si sot.

Çmimet e derivateve kishin shënuar rritje në fund të shkurtit, pas zhvillimeve të tensionuara në Lindjen e Mesme, kur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën me Iranin. Pas kësaj, Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, e cila shërben si një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës, duke përfshirë rreth 20 për qind të naftës globale.

Megjithatë, pas stabilizimit të situatës, çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë nisur të bien, ndërsa rënia po reflektohet gradualisht edhe në Kosovë./Albinfo.ch