Integrimi

“Natyralizimi duhet të jetë një e drejtë themelore për të gjithë në Zvicër”

"Ne kemi vetëm një demokraci për `tre të katërtat`. Sipas Arber Bullakajt, shumë njerëz në Zvicër nuk mund të thonë fjalën e tyre në politikë; ai dëshiron ta ndryshojë këtë

Kohë më parë, është promovuar aksioni i ri për lehtësimin e natyralizimit të të huajve, me titullin “Aktion Vierviertel”. Në krye të tij, si bashkëkryetar është edhe Arbër Bullakaj, politikan i njohur shqiptarozviceran nga qyteti Wil, Kantioni St. Gallen.

Albinfo.ch publikon manifestin që udhëheq këtë aksion dhe pjesë nga arsyetimi që Bullakaj i jep këtij aksioni, në mediat zvicerane.

Prej tetë milion njerëzve, të cilët jetojnë në Zvicër, dy milion nuk kanë pasaportë zvicerane. Kjo është gjithashtu pasojë e një politike përjashtuese. Në mbarë Evropën, Zvicra ende është vendi nga më të vështirët për t’u natyralizuar. Përderisa diversiteti ka kohë që është pjesë e jetës së përditshme, mundësitë dhe të drejtat janë të pabarabarta – në aspektin ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor. Për shkak që ky fakt i bën dëm të madh demokracisë, ne kemi nevojë për një ide të re dhe të guximshme të shoqërisë.

E drejta themelore për pjesëmarrje

Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Kushdo që jeton në Zvicër, ka të drejtë për pjesëmarrje të barabartë politike dhe shoqërore. Rruga për të bërë këtë është natyralizimi: e drejta për të marrë pjesë në votime dhe zgjedhje, për një qëndrim të sigurt dhe – mbi të gjitha – të drejtën për t’u njohur si pjesë e barabartë e bashkësisë. Prandaj ne jemi të bindur, se: E drejta për shtetësi është e drejtë themelore e të gjithë njerëzve në vendin ku ata jetojnë.

Për demokraci të vërtetë

Diversiteti, i cili është rrjedhojë e migracioni, është pjesë e pasurisë kulturore të Zvicrës. Prejardhja e një personi, bindjet e botëkuptimet e tija dhe pozita e tij sociale nuk duhet të luajnë rol në të drejtën e shtetësisë. Askush nuk duhet të “fitojë” të drejtën për shtetësi përmes përshtatjes. Vetëm kështu krijohet premtimi i besueshëm për pjesëmarrje të barabartë, dhe vetëm në këtë mënyrë të gjithë njerëzit në Zvicër mund të shfrytëzojnë potencialin e tyre për të mirën e të gjithëve..

Promovimi aktiv i natyralizimit

Federata, kantonet dhe komunat duhet të promovojnë në mënyrë aktive natyralizimin, në të mirë dhe interes të një demokracie të vërtete. Procedurat e tanishme synojnë përzgjedhjen dhe bazohen në dyshimin se dikush mund të kërkojë diçka që nuk i takon. Ky qëndrim duhet të ndryshojë. Njerëzit që jetojnë në Zvicër, e të cilët ende nuk kanë ende pasaportë duhet të jenë të mirëpritur, të përkrahen dhe të ftohen për natyralizim. Një masë efektive mbështetëse është, për shembull, heqja dorë nga tarifat.

Kriteret objektive dhe procedurat korrekte

Secili njeri, i cili jeton prej katër vitesh në Zvicër, duhet që pavarësisht prej statusit të qëndrimit të ketë të drejtën për natyralizim. Kriteret e vjetruara, arbitrare dhe që nuk kanë të bëjnë me temën duhet të shfuqizohen. Gjithashtu është diskriminuese, kur njerëzve, të cilët janë të detyruar të marrin ndihmë sociale, u mohohet e drejta e natyralizimit. Dhënia e shtetësisë duhet të bëhet nga autoritete administrative, me procedurë të shpejtë dhe të lirë.

Kush lind në Zvicër, ka të drejtë të ketë pasaportën

Fëmijët, të cilët që në lindje kanë vendbanim në Zvicër, duhet të marrin shtetësinë zvicerane. Një zgjidhje e tillë përparimtare, të cilën e njohin edhe shtetet tjera, mundëson të drejta të barabarta për të gjithë fëmijët e lindur këtu, merr parasysh diversitetin e popullatës dhe ndihmon Zvicrën që edhe në të ardhmen të vazhdojë të jetë një demokraci e gjallë me një pretendim për barazi dhe drejtësi.

Kur është themeluar “Aktion Vierviertel” dhe cila ka qenë ideja

Shoqata është themeluar në janar 2020 me bashkëmendimtarë. Ideja e manifestit ka lindur rreth 5 vjet më parë në Wil, thotë Bullakaj për gazetën Hallowil. Ishte një reagim ndaj shumë refuzimeve arbitrare që unë vazhdoja të dëgjoja dhe shumë procedurave të apelit në të cilat kam qenë i përfshirë. Ka shumë komuna të vogla, p.sh në Rheintal, të cilat diskriminojnë grupe të tëra popullsie, transmeton albinfo.ch. Ata frikësojnë njerëzit me refuzime dhe kështu sigurojnë që shumë njerëz dhe familje të tëra, p.sh. nga Ballkani, të mos aplikojnë më për natyralizim. Kjo më ka tronditur, sepse Zvicra gjithmonë i referohet me krenari demokracisë së saj shembullore. Në fakt ne kemi vetëm një demokraci për “tre të katërtat”. Sipas aktivistit politik Arber Bullakaj nga Wil-i, shumë njerëz në Zvicër nuk mund të thonë fjalën e tyre në politikë; ai dëshiron ta ndryshojë këtë.

Kush është Arber Bullakaj

Arber Bullakaj, 35 vjeçar punon si sipërmarrës i IT-së. Ai ishte anëtar i parlamentit të qytetit Wil për më shumë se shtatë vjet dhe ishte nënkryetar kantonal i PS të Kantonit St. Gallen për më shumë se gjashtë vjet. Tani Bullakaj është anëtar i bordit drejtues të PS Zvicër dhe është bashkë-kryetar i “Aktion Vierviertel”.