Integrimi
Ministri Murati: Organizimi ynë shkon përtej koncerteve folklorike
Në intervistën për albinfo.ch ministri i diasporës, Valon Murati flet për riorganizimin e qendrave kulturore të Kosovës, për "kthimi e trurit", regjistrimin e diasporës etj.
Në manifestimin qendror të Ditës së Pavarësisë së Kosovës që të dielën e kaluar u mbajt në Bülach të Cyrihut, ishte i pranishëm edhe ministri i ri i diasporës në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati. Në fjalën e tij drejtuar bashkatdhetarëve, ministri porositi ata që të integrohen me vlera në vendin ku jetojnë dhe që të mos i bartin këtu edhe ndasitë politike dhe regjionale nga vendi i prejardhjes.
albinfo.ch i ka marrë një intervistë ministrit Murati, ku ai flet për riorganizimin e qendrave kulturore të Kosovës jashtë vendit, për “kthimi e trurit”, avancimin e regjistrimit të diasporës etj.
albinfo.ch: Procesi i regjistrimit të diasporës ka filluar dhe është zhvilluar gjatë pothuaj gjithë vitit që shkoi. Pasi që afatet e paralajmëruara për regjistrim kanë mbaruar a mund të quhet i përfunduar ky proces?
Valon Murati: Jo, në asnjë mënyrë nuk ka përfunduar. Ai është një proces që i nevojitet një impuls i ri dhe jemi duke punuar në këtë drejtim. Ne e kemi krijuar një grup pune për avancimin e tij. Besoj se drejt këtij qëllimi do ta kemi përkrahjen e të gjitha subjekteve në diasporë, shoqërisë civile, medieve etj. Do të bëjmë përpjekje që të bëjmë një avancim në këtë drejtim. Mendoj se ky proces ka pësuar nga shkaku se viti i kaluar ka qenë vit i zgjedhjeve dhe vit i bllokadës disamujore në krijimin e institucioneve tona.
albinfo.ch: Qendrat kulturore të Kosovës në diasporë ka pak kohë që janë krijuar dhe, ende pa u konsoliduar, ankohen për shkurtim të buxhetit. Çka pritet të ndodhë me to?
V.Murati: Jemi në proces të ridizajnimit të qendrave kulturore. Në projektet kulturore që lidhen me diasporën planifikojmë t`i përfshijmë edhe Ministrinë e Kulturës të Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Buxheti ynë është shumë i vogël për mbajtjen e qendrave kulturore prandaj imponohet një veprim i tillë, gjegjësisht mbështetja e aktiviteteve kulturore të diasporës së bashku me subjektet e përmendura.
Në parim ne e kemi një dakordim rreth kësaj nga takimi që ditë më parë kam pasur me ministren e kulturës të Shqipërisë, Mirela Kumbaro. Po ashtu edhe me ministrin e Kulturës të Kosovës, Kujtim Shalën jemi pajtuar që aktivitetet kulturore të diasporës t`i trajtojmë më ndryshe dhe me mbështetje të përbashkët. Këtu mendohet organizimi i javëve kulturore shqiptare në shtetet kryesore ku jetojnë shqiptarët, identifikimi i vlerave më të mira që ka diaspora jonë në art, kulturë sport, shkencë etj. Pjesë e aktivitetit do të jetë po ashtu edhe sjellja e vlerave të dalluara kulturore e të tjera nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva etj. dhe prezantimi i tyre në vendet me diasporë shqiptare.
albinfo.ch: A pritet të shkojë mbështetja edhe përtej organizimit të aktiviteteve folklorike, çfarë ishte edhe ky që u mbajt sot në Cyrih?
V. Murati: Manifestimi i sotëm ishte dëshmi e mirë se nëse ne si një numër shoqatash mund të organizohemi bashkërisht, krijojmë mundësi koordinimi që të zhvillojmë aktivitete më cilësore. Organizimi i aktiviteteve folklorike, sikur ky për nder të 17 Shkurtit është normal për diasporat pasi që ndihmon ruajtjen e identitetit të shqiptarëve jashtë vendit. Por, aktivitetet si këto ne i konsiderojmë si një përplotësim të atyre që planifikojmë t`i organizojmë me qasjen e re. E ato shkojnë përtej koncerteve folklorike. Aty do të hyjnë edhe promovimi i vlerave tjera kulturore, shkencore etj.
albinfo.ch: A është në kompetencat e ministrisë tuaj përpjekja për “kthimin e trurit” gjegjësisht shfrytëzimi i arritjeve të shqiptarëve jashtë vendit për zhvillimin e Kosovës?
V. Murati: Ministria e Diasporës për nga natyra e sektorit që mbulon, për pothuaj të gjitha aktivitetet e veta detyrohet të mbështetet në bashkëpunimin me disa ministri. Kështu, për “kthimin e trurit” nevojitet bashkëpunim i ngushtë me Ministrinë e Arsimit. Por në një drejtim të tillë shkon edhe themelimi i rrjeteve të studentëve dhe të rinjve që e pati iniciuar ministria jonë pak kohë më parë. Ato do të çohen drejt avancimit, që të identifikojmë potencialet që i kemi jashtë . Synojmë që bashkëpunimi mes Kosovës dhe diasporës të mos identifikohet vetëm si një bashkëpunim remitancash dhe kontributesh financiare por edhe si një transfer i dijes dhe si bashkëpunim kulturor e politik. Kjo sepse diaspora ka shumë çka më tepër se kaq që t`i japë Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare.
Konsideroj se diaspora duhet të mendojë për një organizim më të mirë – dhe për këtë do ta ketë edhe përkrahjen e ministrisë – që të përfshihet në zhvillimet politike të vendeve ku jeton. Integrimi në jetën politike, shoqërore e ekonomike të vendit ku jeton do ta fuqizoje diasporën tonë dhe do të mundësojë krijimin e lidhjeve funksionale me vendin e prejardhjes.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
“Më të kërkuarat janë fanellat e Zvicrës dhe ato të Shqipërisë” Pas fanellës së Zvicrës, e dyta më e kërkuar është aktualisht fanella e Shqipërisë, thotë shitësi...
-
Prokuroria kërkon 18 vjet burgim për autorin e vrasjes së Shqiponja Isufit
-
Adem Dalipi vendos shallin me shqiponjë në diplomimin e tij në Amerikë
-
Rama takohet me emigrantët shqiptarë në Milano më 26 maj
-
Itali, shpallen në kërkim 4 shqiptarë për këto arsye
Jeta në Austri
-
Si po e ndryshon motin në Austri ngrohja globale? Ngjarjet ekstreme të motit kanë shënuar pothuajse çdo muaj të vitit 2023 në Austri. Ekspertët thonë...
-
Lajmet më të fundit të së enjtes në Austri
-
Qeveria austriake ndan edhe këtë vit bonus: Nga 145 -290 euro për secilin qytetar të saj
-
Si po e bën Austria më të lehtë imigrimin e punonjësve të huaj shëndetësorë?
-
A mund të blejnë të huajt prona në Austri?