Tematike

Masat e koronës, këtë vit kanë mbrojtur njerëzit edhe nga gripi “normal”

BAG ka regjistruar këtë vit shumë më pak raste të gripit "normal" sesa për një kohë të gjatë më parë. Duket se "fajet" për këtë i kanë masat kundër Covid-19

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG), këtë vit në të gjithë botën ka shumë më pak raste të gripit “normal” sesa kishte në vitin 2019.

Arsyeja për këtë mund të ketë lidhje me masat mbrojtëse dhe higjienike që janë në fuqi, të cilat vështirësojnë depërtimin e virusit të  gripit, raporton 20minuten.ch. Kështu shkruan BAG në raportin e tij të fundit mbi sëmundjet e ngjashme me gripin.

Përvoja tregon se gripi kryesisht përhapet në muajt e ftohtë të dimrit, janar dhe shkurt – në vitin e gripit 2017, Zvicra pati regjistruar rreth 2.500 vdekje nga gripi, transmeton albinfo.ch. Se si do të jetë këtë vit është e vështirë të vlerësohet, thotë Mark Witschi, shefi i Seksionit të Rekomandimeve të Vaksinimit dhe Masave të Kontrollit të BAG.

“Gjatë verës ne pamë në hemisferën jugore që vala e gripit ishte e dobët për shkak të masave të marra kundër Corona. Shpresojmë se kjo do të ndodhë edhe në Zvicër, sepse çdo rast shtesë i gripit të rëndë aktualisht është i tepërt për shkak të spitaleve të zënë “.

Ekspertët tani duan të mësojnë nga përvoja e fituar përmes masave të mbrojtjes nga korona. Kështu, infektiologu nga Ticino, Andreas Cerny nga Spitali Moncucco thotë: “Ne mund të mësojmë shumë nga situata aktuale, transmeton albinfo.ch. Gripi, i cili gjithashtu mund të çojë në shumë shtrime në spital, edhe në të ardhmen mund të shmanget duke ndërmarrë masat e duhura”.

Duhet shikuar pra nëse mund të mbahen edhe më tutje masa të tilla si detyrimi për maskë në transportin publik ose heqja dorë nga shtrëngimi i duarve për përshëndetje, edhe pas koronës.

Diçka e tillë është e dukshme në rajonin aziatik, ku njerëzit janë më të kujdesshëm dhe maskat mbrojtëse atje janë përgjithësisht të përhapura, veçanërisht në muajt e ftohtë të dimrit”.

Por studiues të tjerë mendojnë se nuk duhet pritur që edhe pasi të kalojë pandemia, njerëzit të mbajnë maska, përcjell albinfo.ch. Ata janë lodhur nga të gjitha këto kufizime kështu që nuk është realiste t`u kërkohet mbajtja e mëtejshme e disiplinës. Qëllim i të gjithëve është kthimi në normalitet.

E gjithë ajo që mund të pritet pas kalimit të pandemisë është që njerëzit të jenë më të kujdesshëm kur kontaktojnë të moshuarit dhe personat që bartin sëmudnje kronike.

Ndërsa është e paimagjinueshme që edhe pas kthimit në normalitet, njerëzit nga Evropa dhe regjioni kulturor perëndimor të heqin dorë nga puthjet dhe përqafimet, thonë ekspertët.