Gruaja

Mos kthe kokën anash por vepro!

Dy javë pas votimeve për ndalimin e mbulesës, kjo situatë na tregon se duhet t`i qasemi më mirë çështjes së Islamit në Zvicër

Në xhaminë shqiptare në Seebach (Cyrih), ka qenë në shitje libri “Ilmihal për Gratë”. Bëhet fjalë për një libër që përhap mendime misogjiniste, patriarkale dhe të nxitjes së dhunës. Ndërkohë, ky libër është shitur. Dy javë pas votimeve për ndalimin e mbulesës, kjo situatë na tregon se duhet t`i qasemi më mirë çështjes së Islamit në Zvicër.

Deklarata të tilla si “Kushdo që fyen ose përçmon në çfarëdo mënyre  fenë e tyre duhet të vritet” është vetëm një nga frazat shumë tmerruese në atë libër. “Tagesanzeiger” ka raportuar këtë javë rreth librit që u shpjegon myslimanëve se kur dhe si mund t’i ndëshkojnë gratë e tyre, si të merren me të ashtuquajturit “jobesimtarë” dhe cilat metoda mund të përdoren.

Libri që deri më tani është shitur në xhaminë në Seebach si dhe në internet është përplot urrejtje, plot përbuzje dhe ngjall frikë të edhe më të madhe nga ajo prej së cilës shoqëria jonë tashmë ndjehej e frikësuar.

Nuk ka dyshim që botime të tilla duhet të kontrollohen dhe gjithashtu të ndalohen. Sepse ato në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë “lirinë e fesë” të proklamuar dhe as nuk kanë të bëjnë me të drejtën e “lirisë së mendimit” me tekste të tilla. Këtu bëhet fjalë për tirada të urrejtjes, thirrje për dhunë dhe, në rastin më të keq, madje edhe për vrasje.

Për mua personalisht, fakti që libri është shitur është veçanërisht shqetësues. Kjo tregon edhe një herë forcën me të cilën po ushtrohet shtypja ndaj grave në qarqe të ndryshme. Kjo duhet të ndalet – sepse seksizmi, dhuna dhe terrori, që ky libër ë fund të fundit shpërfaq, nuk ka vend askund: as në religjion dhe as në shoqërinë tonë.

Është e rëndësishme t`i identifikojmë më herët proceset e tilla, t’i parandalojmë ato në burim dhe, mbi të gjitha, të krijojmë një gjendje ligjore në të cilën aktet dhe botimet e tilla do të jenë të dënueshme. Unë jam gjithashtu e përkushtuar politikisht për këtë – sepse çdo akt dhune është një akt më tepër. Qoftë akti i promovimit dhe shitjes së këtij libri qoftë edhe vetë dora që rrah.

Askush në vendin tonë nuk duhet të jetë viktimë e dhunës ose urrejtjes – kjo është ajo kundër së cilës ne si shoqëri duhet të luftojmë dhe të punojmë.

Më shumë se kurrë, kjo situatë na tregon se politika dhe institucionet duhet të merren me çështjen e islamit në Zvicër. Vetëm përmes bashkëpunimit të koordininuar ne mund të parandalojmë veprimet e organizatave të tilla private.

Nëse ju personalisht prekeni nga dhuna ose dhuna në familje, telefononi në numrin e urgjencës 112 ose 117. “Dargebotene Hand” (shërbim i ndihmës së parë) është gjithashtu në dispozicionin tuaj, në numrin 143.

  • Autorja është kryetare e degës së FDP-së (Partisë Liberale) në Wallisellen të Cyrihut. Këtë opinion e ka shkruar për albinfo.ch, si reagim ndaj një lajmi të publikuar në mediat zvicerane lidhur me librin në gjuhën gjermane “Ilmihal për gra”, që ishte në shitje në “Xhaminë Shqiptare” të Seebach-ut, Cyrih. Ky libër proklamon dhunën ndaj jobesimtarëve dhe ndaj grave.