Ministri i Deleguar për Evropën i Republikës së Francës, Benjamin Haddad, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Kosovë. Gjatë vizitës, ai do të zhvillojë takim me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ndërsa në agjendë është edhe nënshkrimi i tri marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, marrëveshjet do të përfshijnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, arsimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare. Në ceremoninë e nënshkrimit do të marrë pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Pas takimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, Konjufca dhe Haddad pritet të mbajnë një deklaratë të përbashkët për media, ku do të prezantojnë rezultatet e vizitës dhe temat kryesore të diskutimeve.
Vizita e ministrit francez konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe në thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Ajo zhvillohet në një periudhë kur Prishtina synon avancimin e partneritetit me shtetet e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen për proceset integruese.