Zhvillim

Mimoza nuk e privatizon Brezovicën, e jep me qira!

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila tha se qendra e skijimit në Brezovicë, nuk privatizohet por jepet me koncesion për 99 vjet

Institucionet e Kosovës nuk e kanë të qartë se si do ta zhvillojnë qendrën turistike dimërore në Brezovicë. Derisa një periudhë është thënë se kjo qendër do të privatizohet, tashmë është bërë e qartë se qendrat e skijimit në këtë qendër do të jepet me qira për 99 vjet.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila tha se qendra e skijimit në Brezovicë, nuk privatizohet por jepet me koncesion. Ndryshe edhe me procesin e privatizimin ndërmarrjet u jepen fituesve për 99 vjet, që i bije proces i njëjtë.

Ministrja që njëherit është udhëheqëse e Komitetit Drejtues Ndër-Ministror, për projektin “Brezovica” thotë se është vendim i qeverisë, që kjo qendër do të jepet në shfrytëzim të autorizuar për 99 vite sikur që është dhënë Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

“Në rastin konkret të Brezovicës, do të kemi rastin që toka dhe pronësia e tokës, qoftë ajo e komunës apo e qeverisë, përmes agjencive të cilat janë pronare, qoftë të tokës, pyjore apo parkut nacional, do të mbeten gjithmonë në pronësi të pronarëve të tyre aktual”, ka deklaruar ajo.

Prandaj, siç tha ajo, vetëm do të jepet më shfrytëzim më kontratë 99 vjeçare që është praktikë ndërkombëtare. “Kjo ka ndodhur që të kemi zhvillim të qyteteve të tëra, si për shembull Hong Kongu, që janë zhvilluar më një kontratë të tillë”, thotë Kusari- Lila për Radion Evropa Lirë.

Koncesionim nënkupton një kontratë e lidhur mes një Autoriteti Kontraktues dhe një koncesioneri ku objekti kryesor i kontratës është zbatimi i një projekti të infrastrukturës dhe ku përmbushja e kontratës nga oncesionari shpërblehet tërësisht ose pjesërisht me dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të infrastrukturës.

Njohësi i çështje të turizmit, Zekë Çeku konsideron se Kosova nuk është e gatshme për procesin e koncesionimit. Me që nëse koncesionimi në aspektin e turizmit, sipas tij, më tepër është veti e shteteve të zhvilluara.

“Për ne kishte qenë më mirë, që Brezovica mos të koncesionohet, mirëpo në kuadër të sipërfaqes të cilën e ka qendra e skijimit në Brezovicë, duhet të bëhej privatizimi i saj” tha ai.

“Shumë më lehtë do të ishte për investitorë, të mblidhen interesat e investitorëve, menaxhimin e projektit nga ana e qeverisë, e cila edhe ashtu nuk ka kapacitete të duhura profesionale dhe njerëzore që t’i menaxhojë këto çështje”, konsideron Çeku.

Privatizimi, nënkupton shitjen, transferimin ose likuidimin e ndërmarrjeve dhe aseteve të përkufizuara më ligj. Sidoqoftë, ministrja Kusari- Lila, shprehet se për investitorët potencialë, Brezovica ofron një mundësi shumë të mirë të resurseve natyrore, në veçanti dimërore, por edhe pranverës dhe verës, për investitorët potencial.

Sipas një vlerësimi, thotë ajo, në Brezovicë ka sasi të borës për 151 ditë të vitit, çka paraqet sasinë më të  madhe, krahasuar me të gjitha vendskijimet tjera të Evropës. Ndryshe, deri më 2 prill është afati për të aplikuar për shprehje te interesit, ndërsa, sipas ministres Mimoza Kusari- Lila, deri në fund të vitit pritet të shpallet kompania  fituese.