Mijëra qytetarë janë mbledhur të premten në Prishtinë në një protestë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton albinfo.ch.
Protesta vjen dy ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët u shpallën fajtorë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara më 16 shtator.
Katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët kanë pasur role drejtuese gjatë luftës së viteve 1998-1999, i kanë mohuar akuzat ndaj tyre.
Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, mbrojtja ka bërë të ditur se do ta kundërshtojë vendimin përmes procedurave të apelimit në Dhomat e Specializuara.
Aktgjykimi ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ndërsa protesta e së premtes në Prishtinë është organizuar si shprehje kundërshtimi ndaj vendimit të gjykatës.
Në mesin e protestuesve janë parë flamuj të Kosovës dhe të Shqipërisë, ndërsa pjesëmarrësit kanë mbajtur edhe pankarta me mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së./Albinfo.ch