Shqipëria

Media amerikane rekomandon Gjirokastrën, Beratin dhe Liqenin e Ohrit si destinacione që duhen vizituar

Tre destinacionet shqiptare renditen mes vendeve më autentike dhe më të përballueshme në Evropë, larg turizmit masiv.

Gjirokastra, Berati dhe bregu shqiptar i Liqenit të Ohrit janë renditur mes destinacioneve më të mira evropiane që ndërthurin trashëgiminë kulturore, bukurinë natyrore dhe çmimet e përballueshme, sipas medias amerikane Quartz, përcjell albinfo.ch.

Në një artikull kushtuar vendeve që ende nuk janë prekur nga turizmi masiv, Quartz i rekomandon këto destinacione si alternativa autentike për udhëtarët që dëshirojnë të shmangin zonat e mbipopulluara dhe kostot e larta të pushimeve.

Gjirokastra vlerësohet për arkitekturën karakteristike prej guri, kalanë e shekullit XII dhe Pazarin e Vjetër, ndërsa statusi i saj si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2005 e bën një nga qytetet më të veçanta të rajonit. Media amerikane thekson gjithashtu se akomodimi dhe gastronomia tradicionale mbeten më të përballueshme se në shumë destinacione të njohura të Mesdheut.

Edhe Berati, i mbrojtur nga UNESCO që prej vitit 2008, renditet ndër destinacionet më tërheqëse. Lagjet historike Mangalem dhe Goricë, Kalaja e Beratit dhe Muzeu Ikonografik “Onufri” përmenden si atraksionet kryesore të qytetit.

Në listë përfshihet edhe bregu shqiptar i Liqenit të Ohrit, i cili vlerësohet për peizazhin natyror, biodiversitetin e pasur dhe atmosferën autentike.

Sipas Quartz, këto destinacione kanë ruajtur identitetin kulturor dhe karakterin lokal, megjithëse ekspertët paralajmërojnë se rritja e interesit turistik mund të ndikojë në këtë realitet në vitet e ardhshme.

Lista e publikuar nga media amerikane përfshin kryesisht destinacione në Ballkan, vendet baltike dhe disa zona të Evropës Qendrore e Jugore, të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë./Albinfo.ch