Zvicra ka regjistruar një rënie të numrit të mbytjeve fatale gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Zvicerane e Shpëtimit në Ujë (SLS), 43 persona humbën jetën nga mbytja vitin e kaluar, pothuajse të gjitha rastet në liqene, lumenj dhe ujëra të hapura.
Ky është viti i parë që nga viti 2021 kur numri i viktimave bie nën 50. Për krahasim, në vitin 2024 u regjistruan 59 raste fatale, ndërsa në vitin 2022 u shënua një rekord negativ me 66 viktima, transmeton albinfo.ch.
Sipas statistikave, rreth 80% e viktimave ishin meshkuj. Grupmoshat më të prekura ishin të rinjtë 17-32 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç. Rreth 40% e rasteve përfshinin persona të moshuar.
Ekspertët e sigurisë në ujë theksojnë se, pavarësisht përmirësimit të statistikave, rreziku mbetet i lartë gjatë muajve të verës, sidomos në ujërat e hapura ku kushtet mund të ndryshojnë shpejt. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë notit dhe aktiviteteve rekreative në liqene dhe lumenj.