Bota

May refuzon alternativat për Brexit

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka refuzuar  alternativat për marrëveshjen e saj për Brexit, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, duke iu bërë thirrje ligjvënësve që të mendojnë për pasojat nëse votojnë kundër.

May gjithashtu hodhi poshtë marrëveshjen e stilit të Norvegjisë me BE-në – një ide kjo e disa ligjvënësve të partisë së saj Tory.

Norvegjia e cila është pjesë e tregut të përbashkët të BE-së, por nuk është pjesë e bashkimit doganor.

May tha se ideja është e papranueshme, pasi liria e lëvizjes do të vazhdonte. Deputetët laburistë thonë se mund të arrihet një marrëveshje më e mirë, por kryeminisrja tha se ata nuk kanë sjellë ndonjë alternativë të duhur, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch

Duke kërcënuar se do ta kundërshtojnë marrëveshjen gjatë votimit në Parlament më 11 dhjetor, May tha se laburistët e mbështesin Brexit-in pa marrëveshje.

Sipas, May, Britania duhet të dalë nga BE-ja në fund të marsit 2019.

Britanikët kanë vendosur për Brexit në një referendum më 2016. Institucionet financiare kanë paralajmëruar se nëse Brexit-i ndodh pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit, Britania do të përballet me rënie të madhe ekonomike.