Bota

May: Marrëveshja është në interesin e kombit

Marrëveshja është në interesin e kombit, si për kundërshtarët ashtu edhe për ata që mbështesin Brexitin, pohon kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May

Marrëveshja për ndarjen mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian parashikon një fazë kalimtare deri në fund të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe Britania e Madhe do të ketë qasje në tregun e brendshëm të BE dhe nuk do të ketë dogana shtesë.
Marrëveshja rregullon edhe të drejtat e qytetarëve nga të dyja anët, kërkesat financiare ndaj Londrës dhe çështjen e kufirit mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës. BE i ka ofruar Britanisë së Madhe një lloj partneriteti “të ndershëm” ekonomik dhe politik, transmeton “DW”.

Përfaqësuesi i BE në negociatat për Brexit, Michel Barnier, thotë se marrëveshja “është një hap i domosdoshëm për rikthimin e mirëbesimit mes BE dhe Britanisë së Madhe.” Edhe pas Brexiit raportet mbeten shumë të ngushta: “Ne do të mbetemi partnerë dhe miq”, përcjell albinfo.ch.

Presidenti i Parlamentit Evropian Antonio Tajani, thotë se edhe PE qëndron pas kësaj marrëveshje. “PE e mbështetë këtë marrëveshje”, thotë Tajani. Deputetët e PE do të debatojnë dhe votojnë për këtë çështje në janar dhe në shkurt. Paketa e masave duhet të miratohet në PE dhe në Parlamentin britanik. Në Londër deri tani nuk ka ndonjë shumicë të qartë për këtë marrëveshje.

Para samitit BE-BM, kryeministrja britanike May i ka dërguar një letër kombit të saj, me të cilën kërkon mbështetje për marrëveshjen me Brukselin. Marrëveshja e respekton rezultatin e referendumit dhe paraqet një bazë të mirë për “një fillim të ri dhe pajtim”, shkruan May. Marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti në Londër.

Marrëveshja është në interesin e kombit, si për kundërshtarët ashtu edhe për ata që mbështesin Brexitin, pohon May. “Kjo është një marrëveshje për një të radhme më të ndritshme, një marrëveshje e shansave të reja.” Parlamenti britanik do të votojë për këtë marrëveshje brenda disa javësh. May thotë se ajo do të angazhohet për këtë marrëveshje “me mish e me shpirtë”.

May i është drejtuar kohët e fundit disa herë përfaqësuesve të ekonomisë dhe opinionit britanik. Mediat britanike janë të mendimit se ajo në këtë mënyrë do të shtojë presionin ndaj Parlamentit. Krahas opozitës edhe konservatorët e ngurtë kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër marrëveshjes.Për këtë marrëveshje do të votohet në BM në pjesën e parë të dhjetorit. Por gazeta “Sunday Telegraph” shkruan se diaplomatët e BE dhe përfaqësuesit e BM janë duke përgatitur në mënyrë sekrete edhe një “Plan B”, në rast dështimi të marrëveshjes së arritur në Bruksel.