Koronavirusi: çast pas çasti

Maqedoni e Veriut: Rritet numri i të infektuarve me koronavirus

Autoritetet maqedonase kanë njoftuar sot për 33 raste të reja të infektimit me pandeminë e koronavirusit nga 332 testet e realizuara, që paraqet shifrën më të lartë që nga 25 prilli kur kishte 41 raste.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 11 të infektuar në Shkup, 9 në Veles, 5 në Prilep, nga 2 në Kumanovë dhe Tetovë dhe nga 1 në Shtip dhe Kriva Pallankë.
“Nuk mund ende të themi se cilat mund të jenë shkaqet për një rritje të tillë. Mund të jetë për shkak të lehtësimit të masave të lëvizjes në dy javët e fundit, sikur edhe në vendet e tjera, ku gjithashtu ka pasur një rritje të lehtë.

Por sidoqoftë, ne në dy ditët e ardhshëm do të shohim se si çfarë shifrash do të kemi që të dalim me ndonjë vlerësim më të qartë”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai ka bërë thirrje për respektimin e plotë të masave, mbajtjen e maskave si dhe ruajtjen e distancës fizike, si dy nga kriteret kryesore për parandalimin e përhapjes së virusin, ndërsa ka njoftuar se të premten dhe të shtunën do të vendoset për masa të tjera.

Ndërkohë, sa u përket të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 22 persona që kanë fituar betejën me COVID-19, numri më i madh i tyre është në Kumanovë dhe Prilep, përcjell Albinfo.ch.