Evropa po përballet me temperatura rekord për muajin maj, ndërsa vala e hershme e të nxehtit ka përfshirë shumë vende të kontinentit.
Sipas raportimeve meteorologjike, temperaturat në disa shtete të Evropës Perëndimore kanë arritur deri në 12-16 gradë Celsius mbi normalen sezonale, duke shënuar një nga periudhat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë për muajin maj.
Britania e Madhe, Franca, Spanja dhe Gjermania kanë regjistruar temperatura rekord, ndërsa ekspertët flasin për një fenomen të quajtur “heat dome” — një masë ajri të nxehtë që bllokohet mbi rajon dhe mban temperaturat ekstremisht të larta për disa ditë, transmeton albinfo.ch.
Meteorologët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike. Në Francë janë raportuar edhe viktima të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa disa vende kanë aktivizuar alarmet shëndetësore për qytetarët.
Ekspertët e klimës thonë se temperaturat globale pritet të mbeten pranë niveleve rekord edhe në vitet e ardhshme, me mundësi të lartë që të thyhen rekorde të reja deri në vitin 2030.