E-Diaspora

Lenjani: Dua të luaj në Bundesligë, kontratën me St. Gallenin nuk do ta vazhdoj

Për jetën dhe karrierën e tij, Ermir Lenjani flet në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch.

„Ëndrra ime për të luajtur djali im për Shqipërinë është bërë realitet. Gjithmonë kam thënë: Nëse djali im arrin vetëm ta veshë fanellën e kombëtares sonë, unë do të isha babai më i lumtur në botë. E se po bëhet ai edhe lojtari kryesor në fushë, nuk e kam menduar“, thotë për albinfo.ch babai i Lenjanit, Limoni, i cili me profesion është mësues. 

Të dhënat na tregojnë se Ermir Lenjani ka lindur më 5 gusht 1989 në Prishtinë. Ai është nga Karaqeva, komuna e Kamenicës dhe ka emigruar me familje në Winterthur në moshën 4-vjeçare. Karrierën e futbollit e ka filluar në akademinë e shkollës së Winterthurit. Më 2010-2011 është hazuar te Grasshoppers, për t’u kthyer prapë në Winterthur si titullar.

Në janar të vitit 2013 kartonin e tij e blen ekipi më i vjetër i Zvicrës, FC St.Gallen, që momentalisht mban pozitën e tretë me 26 pikë, pas Bazelit dhe Cyrihut.

Sipas portalit „Transfermarkt.ch“, kartoni i Lenjanit vlen 800 mijë euro.

Lenjani luan si mbrojtës i majtë në St. Gallen, kurse angazhohet si mesfushor anësor në kombëtaren shqiptare. Ai është 175 cm i gjatë dhe shquhet për të majtën e tij të fortë. Amir Abrashi është shoku dhe fqinji i tij i parë.

Për herë të parë në kombëtare është ftuar nga De Biasi në ndeshjen miqësore me Armeninë, në gusht të 2013-ës. Kurse shtetësinë shqiptare e ka marrë tek më 8 tetor 2013. Paraqitjet e tija më të mira në kombëtare janë fitorja si mysafir ndaj Portugalisë me rezultat 1-0.  Golin e parë Lenjani e ka shënuar kundër Danimarkës në ndeshjen e parë zyrtare në Elbasan Arena.

Sfida më e rëndë për të ka qenë ndaj Serbisë. Loja në Beograd është ndërprerë pak para mbarimit të pjesës së parë për shkak të dhunës së ushtruar nga huliganët dhe sigurimi serb ndaj lojtarëve shqiptarë të kombëtares sonë.

Në miqësoren e fundi Lenjani ka shkëlqyer si lojtari më i mirë në barazimin e Shqipërisë ndaj Francës.

Ekipe nga Bundesliga dhe liga italiane janë të interesuara për shërbimet e Lenjanit.

Për jetën dhe karrierën e tij, Ermir Lenjani flet në një intervistë për albinfo.ch.

Albinfo.ch: Jeni në fazën më të ndritur të karrierës tuaj, po flitet që Lenjani do të kalojë në një ekip tjetër jashtë Zvicrës, në Bundesligë ose në ligën italiane, sa ka të vërteta këtu?

Lenjani: Është e vërtetë që unë dua të largohem nga  FC St. Galleni,  kontratën me ta nuk do ta vazhdoj. Dua të luaj dikund jashtë Zvicrës, në Gjermani apo Itali. Mirëpo, ende nuk dihet, se ka shumë ekipe të interesuara. Ne kemi kohë deri verës, pastaj do të vendosim me menaxherin.

Albinfo.ch: Cili është ekipi yt i preferuar, ku dëshironi të luani?

Lenjani: Më së shumti e pëlqej Bundësligën, ka shumë interesime nga atje, por nuk kemi ende diçka konkrete.

Albinfo.ch: Si është situata momentalisht në St. Gallen, raportet me ekipin dhe trajnerin?

Lenjani: Raportet me trajnerin dhe me të tjerë janë të mira, por tani që unë nuk dua ta vazhdoj kontratën, po më bëjnë pak probleme.

Albinfo.ch: Si u bë që ju në ekipin kombëtar, ku konkurrenca është më e madhe, të shkëlqeni më shumë se në St. Gallen. Nuk ke hapësirë sa duhet, s’ka trajneri Sabienne mjaft besim në ty?

Lenjani: Jo, jo, trajneri i St. Galles është në rregull, vjet kam qenë lojtari që kam luajtur më së shumti dhe ai ka besim në mua, por problemi është që unë kontratën nuk dua ta vazhdoj dhe për këtë po ndjehen të mashtruar nga unë.

Albinfo.ch: Domethënë, drejtoria e St. Gallenit është e hidhëruar në ty që ti dëshiron ta braktisësh ekipin?

Lenjani: Po, pikërisht për këtë janë ftohur pak marrëdhëniet.

Albinfo.ch: T’i kthehemi pak tmerrit që keni përjetuar në Beograd. Si do ta përshkruanit ju tani në këto momente qetësie gjendjen e lojës Shqipëri- Serbi. Si jeni ndier në ato momente të vështira, çfarë ju ka shkuar në mendje?

Lenjani: Ne si lojtarë s’e kishim menduar asnjëherë që gjendja do të eskalonte aq shumë. Kur e pamë që situata po bëhej skandaloze, filluam të shqetësohemi. Mirëpo, frikë nuk kemi pasur, sepse kemi qenë shumë të emocionuar. Me vendimin e EUFA-s jemi dëmtuar dhe kjo është keq dhe e padrejtë për ne.

Albinfo.ch: A pritini që në seancën tjetër EUFA të ndërrojë qëndrim?

Lenjani: Mua ma merr mendja që ky vendim duhet të korrigjohet, ata na i kanë marrë neve tri pikë dhe na kanë shtuar tri gola plus. Sigurisht diçka duhet të ndryshojnë nga ky vendim.

Albinfo.ch: A është e vërtetë që kur jeni futur në korridoret drejt dhomës së zhveshjes, aty ku nuk kanë qenë kamerat televizive, situata ka qenë edhe me e rënduar duke iu goditur edhe punëtorë të tjerë sigurimit?

Lenjani: Po, para se të futeshim në dhomën e zhveshjes ka qenë vërtet shumë keq, mirëpo pastaj aty brenda s’kemi pasur probleme të mëdha, përveç që pastaj policia na i kanë kontrolluar çantat.

Albinfo.ch: Po diçka rreth jetës private do të më thuash. Ku i kalon Lenjani pushimet?

Lenjani: Pushimet me qejf i kaloj dikund në deti, në Dubai, por edhe në Kosovë, më shumë në Prishtinë dhe Kamenicë.

Albinfo.ch: Domethënë pushimet tua në Kosovë kalojnë mes Prishtinës, Gjilanit dhe Kamenicës?

Lenjani: Ashtu.

Albinfo.ch: Po me dashuri, si i ke punët, ke të dashur?

Lenjani: Me dashuri (qeshet shumë), jo, nuk e kam gjetur, ende s’më ka trokitur fati.

Bekim Dalipi