Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka inkurajuar përfaqësuesit e bizneseve shqiptare në Gjermani që t’i shfrytëzojnë të gjitha mënyrat legjitime për ta ndihmuar rrugën e Kosovës drejt një zhvillimi më të hovshëm ekonomik. Ai gjatë një vizite zyrtare në Gjermani është takuar me përfaqësues të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.
“Duke qenë bashkë në angazhime, do të bëjmë që të ngrohen raportet në mes të diasporës dhe vendit tonë, Kosovës dhe të forcohet besimi i ndërsjellë”, tha ministri Lekaj, i cili ka kërkuar nga diaspora që të mbështetë Kosovën, duke theksuar se diaspora ka nevojë për mundësi, e jo për demagogji.
Ndryshe, pas një serie takimesh me ndërmarrës të suksesshëm shqiptarë që veprojnë në Gjermani dhe me përfaqësues në skenën politike gjermane dhe të Parlamentit Evropian, ministri i Infrastrukturës, Pal lekaj, bashkë me deputeten Teuta Haxhiu dhe me bashkëpunëtorë, sot e përmbylli vizitën me takimin me përfaqësues të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, përkatësisht me drejtorin ekzekutiv të Unionit, Bekim Brestovcin.
“Ju faleminderit për pritjen! Mbështeteni Kosovën, sepse është juaja!”, tha Lekaj.