Kosova

LDK mbetet e vetmja opozitare që nuk e ka mbyllur derën për bashkëpunim me VV-në

PDK-ja dhe AAK-ja refuzojnë ftesën e Vetëvendosjes, ndërsa takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut shihet si kyç për formimin e institucioneve të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e vetmja nga tri partitë opozitare shqiptare që ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të vendit, përcjell albinfo.ch.

Në këtë kuadër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojnë sot takimin e tyre të dytë, i cili pritet të nisë në orën 18:00. Takimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ndërkohë, Vetëvendosje u ka dërguar ftesë edhe Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por të dyja partitë kanë refuzuar pjesëmarrjen.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka ritheksuar se partia e tij do të mbetet në opozitë, duke kërkuar që Vetëvendosje të marrë përgjegjësinë për krijimin e institucioneve së bashku me partitë e tjera parlamentare.

Edhe Aleanca ka refuzuar takimin. Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se partia nuk sheh arsye për një takim të tillë, duke rikujtuar se më herët ka paraqitur gjashtë kushte strategjike për një program qeverisës, për të cilat, sipas tij, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar zhvillimin e takimit mes Kurtit dhe Abdixhikut.

Pas Kuvendit të fundit të LDK-së, ku Lumir Abdixhiku u rikonfirmua në krye të partisë, u vendos gjithashtu që deputetët e zgjedhur të kontribuojnë në procesin e formimit të institucioneve dhe të respektojnë vendimet e organeve drejtuese të partisë.

Negociatat mes Vetëvendosjes dhe LDK-së ishin ndërprerë përkohësisht për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, por tani pritet të rifillojnë me takimin e sotëm.

Vetëvendosje ka siguruar 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18. Me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë, VV-ja mund të sigurojë shumicën për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë në dy rundet e para të votimit.

Konstituimi i Kuvendit është caktuar për 6 gusht. Me konstituimin e tij do të nisin edhe afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës. /Albinfo.ch