Kosova
Kurti: Mungesa e sanksioneve po e trimëron agresivitetin e Serbisë
Sot, kryeministri Albin Kurti ka thënë se mungesa e sanksioneve e ka trimëruar agresivitetin e Serbisë. Kurti ka përmendur ndalimin e zyrtarëve policorë të Kosovës dhe qytetarëve të tjerë në pikat kufitare me Serbinë si veprime “të një shteti mafioz”, përcjell albinfo.ch.
Në një konferencë për media të enjten, Kurti ka thënë se po të kishte sanksione ndaj Serbisë, këto veprime as që do të vinin në shprehje.
“Arrestimet që i bën Serbia, qoftë qytetarët e zakonshëm që e përdorin si vend transit për në vendet e BE-së, qofshin zyrtarë shtetërorë, këto nuk do të vinin në shprehje nëse do të kishte sanksione. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë dhe uroj që ky trimërim i agresivitetit që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqet një etapë të re në të cilin do të kuptohet që Kosova është shtet demokratik, respekton të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia është praktikisht shtet mafioz. Besoj që zyrtarët e Brukselit do ta kenë parë konferencën e presidentit Vuçiq në kazermën ushtarake në Beograd, të shtunën që shkojë, pikërisht kur u bën 10 muaj nga rrëmbimi i policëve tanë si dhe në ditëlindjen e repartit “Kobra”, repart që i kishte rrëmbyer policët tanë. Shtet mafioz, ku kryemafiozi është njeriu më publik atje, është presidenti”, ka thënë kryeministri.
Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të gjithë shqiptarët që po mbahen në burgjet e Serbisë të lirohen menjëherë. Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk dihet sa është numri i të ndaluarve.
“U bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të gjithë shqiptarët po mbahen në burgjet e Serbisë të lirohen menjëherë, në veçanti zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës. Po them të gjithë shqiptarët, pasi nuk dihet sa prej tyre po mbahen në burg dhe me çfarë akuza”, ka shtuar ai.
Kurti ka apeluar te qytetarët që kalojnë kah Serbia “që të përcjellin njoftimet nga Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme, si dhe nga Policia”.
“Çdo qytetar që bie subjekt i provokimeve apo keqtrajtimeve nga autoritetet e Serbisë, të kontaktojnë numrat emergjentë. Serbia kërkon tensione, sepse nuk i konvenon normaliteti. Sa më shumë ka paqe, siguri në rajon, aq më e parëndësishme bëhet Serbia, prandaj bën veprime të kundërta”, ka deklaruar Kurti.
Autoritetet serbe ndaluan të mërkurën qindra kosovarë në pikat kufitare me Hungarinë dhe Kroacinë. Ata u liruan pas më shumë se 18 orëve. U ndaluan edhe pesë zyrtarë policorë, katër prej të cilëve u liruan sot, ndërsa zëvendësdrejtorit Dejan Jankoviq i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë bërë thirrje për sanksione ndaj Serbisë që nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nga grupi paramilitar serb, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë Talenti shqiptar është përfshirë në listën e parë të selektorit Jürgen Klopp për ndeshjet e ardhshme... -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje” -
Dënohet me 15 vjet burg studenti që sulmoi me thikë fëmijët në Cyrih
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions










