Lajme
Kriza e subvencioneve në Vaud, 32,000 dosje në pritje
Në kantonin e Vaud-it, kërkesat për subvencione të sigurimeve shëndetësore janë rritur me ritme rekord, duke sjellë mbingarkesë në administratë dhe vonesa të konsiderueshme në përpunimin e dosjeve. Më shumë se 32,000 kërkesa – përfshirë rreth 25,000 për rivlerësim dhe 7,000 aplikime të reja – janë aktualisht në pritje, ndërsa shumë qytetarë përballen me pasiguri financiare, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Rritja e primeve të sigurimit shëndetësor vit pas viti ka detyruar gjithnjë e më shumë njerëz të kërkojnë ndihmë. Në vitin 2021, Vaud regjistroi 9,200 kërkesa të reja. Vitin e kaluar, ky numër u rrit në 16,900 – një rritje prej mbi 80% në vetëm tre vjet. Sot, rreth 310,000 banorë të kantonit, ose 36.9% e popullsisë, marrin një formë subvencioni për sigurimin shëndetësor.
Por ngarkesa në rritje ka sjellë pasoja. Rasti i Alice Kübler, një 24-vjeçare nga Lozana, është tregues i situatës. Ajo ka mbi një vit që pret vendimin për subvencion, për shkak të një situate të pazakontë profesionale – një kombinim mes aktivitetit artistik dhe punës me kohë të pjesshme. “Është frustruese. Fundi i muajit është shumë i vështirë”, tha ajo për RTS.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme për Kohezionin Social (DGCS), koha standarde e përpunimit është rreth katër muaj për aplikimet fillestare dhe shtatë muaj për rastet që kërkojnë rivlerësim. Por në realitet, shumë qytetarë po presin shumë më gjatë, transmeton albinfo.ch.
Për të përshpejtuar proceset, disa kantone – përfshirë Gjenevën, Neuchâtel-in, Juran dhe Valais – kanë futur sisteme automatike vlerësimi, bazuar në të dhënat tatimore. Por kantoni i Vaud, pavarësisht se ofron një nga sistemet më bujare (duke kufizuar primet në maksimum 10% të të ardhurave), ka refuzuar deri më tani automatizimin.
Krahët politikë janë thellësisht të ndarë. E djathta, përfshirë PLR-në, kundërshton masën, duke shprehur frikë se do të përfitojnë edhe persona që nuk kanë nevojë reale, si studentë të mbështetur nga prindërit. “Ka rrezik që automatizimi të mos dallojë rastet individuale”, paralajmëroi deputetja Florence Bettschart.
Ndërkohë, e majta e sheh automatizimin si një domosdoshmëri për ta bërë sistemin më të aksesueshëm dhe më efikas. “Shumë persona nuk aplikojnë fare për shkak të procedurave të ndërlikuara. Një sistem i thjeshtuar do të ulte ndjeshëm kohën e pritjes dhe do të garantonte ndihmë për ata që realisht kanë nevojë,” theksoi deputeti socialist Sébastien Kessler.
Në rast se vendimi për subvencion merret me vonesë, përfituesit kanë të drejtë për pagesë retroaktive, por kjo nuk e zgjidh problemin e përkohshëm financiar që përballen mijëra qytetarë, sidomos në një klimë të shtrenjtimit të kostove të jetesës, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Expo Arbëria në Spezzano Albanese: Tri ditë feste për komunitetin arbëresh Nga 18 deri më 20 shtator 2026 në Spezzano Albanese mbahet takimi që feston historinë, artin,... -
Shaip Morina, një shqiptar nga Kosova në qendër të jetës politike dhe kulturore të Malmö-s -
Zvicër
“Atdheu” në Thun, të rinjtë mësojnë këngën dhe instrumentet shqiptare -
Marigona Qerkezi rikthehet në Zagreb për një gala madhështore të operës -
19-vjeçari nga Kosova arrestohet pas një grabitjeje në Bad Säckingen
Jeta në Austri
-
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions Një pjesëmarrës nga Salzburgu fitoi 111,5 milionë euro në shorteun e së premtes të EuroMillions, njoftoi... -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili











