Kosova
Kosovë: Përvoja personale e një të prekuri me koronavirus
Familja që përjetoi “Natën e Shën Bartolomeut” dhe “ditët e ferrit” nga infektimi me koronavirus, ka një mesazh për të gjithë…
Qershor, ditë e zakonshme, kur një mbrëmje, pa asnjë simptomë paralajmëruese, fillova të ndiej shqetësime, mundim dhe një shtrëngim koke, duke u zgjeruar në gjithë trupin, për t’u paraqitur shenjat e para të temperaturës, e cila sa vinte e ‘godiste’ më shumë, derisa sollën edhe ethe, dridhje trupi dhe shenjat e para të një kolle që sa vinte e shtohej. Ende nuk dija ç’ po ndodhte, pa e pasur idenë e koronavirusit. Tek kur më doli gjumi në orët e para të mëngjesit të 25 qershorit, i tëri i përhumbur dhe i nënshtruar nga ‘sulme’ virale në të gjitha anët, e kuptova se tashmë s’ka dyshim se isha i infektuar me koronavirus…
Kah mesdita fillova të qetësohem dhe sikur nisa të dyshoj në idenë se mund të jem prekur me Covid 19. Sa shumë kisha dëgjuar, lexuar dhe hulumtuar për këtë virus që nga janari, sidomos në kohën e vetizolimit, por kurrë ta konceptoja në peshën reale të tij… Lajmet na dukeshin të largëta, rastet si të huaja dhe vetë mundësia për diçka të tillë në realitetin tonë gjeografik si diçka absurde dhe e pamundur… E, në një moment stabilizimi, tash i thosha vetes: “A është e mundur, unë ta kem, unë të ballafaqohem me të”… Në ndërkohë më njofton e shoqja se jo vetëm ajo, por as djali nuk është mirë dhe ka temperaturë… Pas disa trajtimeve në shtëpi dhe mospërmirësimit, gjendja sa vinte duke iu përkeqësuar, kështu që djalin e dërguam në spital, në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë, për t’u konfirmuar pozitiv me Covid 19. Kaluan ditë dhe nuk bënte më mirë, e kjo filloi të na shqetësonte jo vetëm neve, por edhe stafin e klinikës… Një mbrëmje, për një çast i përkeqësohet gjendja, situatë që nuk kishte shpjegim, a thua çfarë po ndodhte…se ç’ mendon njeriu në një gjendje të tillë…t’i përjetoja unë këto çaste… të ishte kjo “Nata e Shën Bartolomeut” e kohës së tashme për familjen… Jo, s mund ta besoja! Dhe, s’kisha si ta pranoja, kurrsesi… Ishte më i riu në klinikë, në mos në krejt QKUK-në, prandaj si i tillë rasti kishte marrë vëmendjen dhe kujdesin e duhur nga stafi mjekësor…
Në ndërkohë, tamam ditën e tetë më preku një kollë, i thatë, i thellë, nga fundbarku, i cili për çdo orë shtonte intensitetin e ‘goditjes’. Në njërën anë djali, në spital dhe pa shenja përmirësimi, në anën tjetër unë me gjendje tepër të vështirësuar, sikur po përjetonim ‘ditët e ferrit’, në mos edhe më rëndë se kaq… Në familje ishte krijuar një atmosferë ‘mortore’, ndiheshim të pafuqishëm dhe nuk gjenin shteg kah t’ia mbanim, kur trajtim privat nuk aplikohej… Ishte dita e 14-të nga simptomat e para të djalit dhe, çuditërisht, e fatmirësisht, përnjëherë tregon shenja përmirësimi: kolla i ndërpritet, frymëmarrja i stabilizohet, oksigjeni funksiononte normalisht, parametrat e tjerë sikur ishin qetësuar… A thua, ç’ po ndodhte, a ishte e mundur, kurrsesi të besonim… duhej pritur ditën vijuese. Sa i largët na u duk mëngjesi, por sa na gëzoi kur shenjat e përmirësimit i vazhduan deri në shërimin e plotë, pas 12 ditësh qëndrimi në klinikë…
E unë, ç’po përjetoja ndërkohë! Aq shumë më ngacmonte kolla, sidomos natën, sa nisa ta urreja edhe ardhjen e mbrëmjes… Sa e gjatë më dukej nata, e pafund, e rëndë dhe e tmerrshme. Fillova të dyshoj se do të shpëtoja pa u prekur në mushkëri… E thirra një mjek shtëpiak, i cili konstatoi ftohjen dhe prekjen e mushkërive, duke më preferuar urgjentisht disa antibiotikë… Më kot i përdorja, kolla jo që nuk ndalej, por as nuk zvogëlohej, kështu që gjendja m’u kishte rënduar deri në pikën ku fillova të dyshoja se do të mund të qëndroja më shumë… Djali në spital, unë në shtëpi, pa pasur mundësi për kurrfarë ndihme nga askush, në momente humbja arsyen dhe sikur i thosha vetes se a do ta përballojmë këtë sfidë… a do t’i kthehemi ndonjëherë gjendjes normale, ditëve të zakonshme, jetës së natyrshme… Lajmet se djali po përmirësohej sikur më freskonin, deri në ditën e 14-të, kur, përsëri çuditërisht nga mesdita nisa të qetësohem, kolla sikur po rrallohej dhe trupi po stabilizohej… A thua ç’po ndodhte me mua, po mendoja ashtu i vetëm në shtëpi dhe nuk u besoja këtyre zhvillimeve… Për një moment m’u kujtua se sot po bëheshin dy javë nga simptomat e para dhe, sikur të jetë rregull që pas dy javësh koronavirusi të humbte fuqinë, të largohej, të zhdukej… Po, ashtu ishte, së paku në përvojën time personale, mbrëmjen e prita shumë më qetë, natën e kalova pothuajse normalisht dhe po agonte një mëngjes i zakonshëm, aq shumë i pritur e i dëshiruar i ditës së 15-të të koronavirusit, tashmë pa të, edhe pse me disa pasoja që po i përballoja shumë më lehtë… E kisha kaluar, sikur besoja, po ndihesha tjetër njeri, nevoja për ushqim sikur më ishte kthyer dhe dalëngadalë çdo gjë po mbetej në të kaluarën, mbase në pakthim, edhe pse nuk do të harrohet lehtë…
Prandaj, mesazhi thelbësor është: ruajuni, bëni kujdes, se Covid 19 nuk është lojë, nuk është i largët, as i paqenë, ai është edhe aty ku nuk e prisni fare…
(Autori është i njohur për redaksinë)
E-Diaspora
-
Një destinacion që quhet Kosovë! Për mërgimtarin, Kosova nuk është thjesht destinacioni i pushimeve. Është adresa ku kthehet zemra, sado larg... -
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












