Protestuesit të shumtë janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku kanë zhvilluar një aksion protestues duke hedhur ngjyrë të kuqe dhe duke vendosur letra e pankarta me mesazhe kundër dhunës ndaj grave.
Përmes kësaj proteste, pjesëmarrësit kanë kërkuar dorëheqjen e personave përgjegjës për rastin e Arlinda Zekajt, si dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Gjatë fjalimit para të pranishmëve, njëra nga organizatoret ka theksuar se protestat do të vazhdojnë derisa institucionet të marrin përgjegjësinë e tyre dhe ta trajtojnë me seriozitet sigurinë dhe jetën e grave.
Ajo ka kërkuar jo vetëm dorëheqje, por edhe ndëshkim ligjor për përgjegjësit, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund patriarkatit dhe mosndëshkimit.
“Ka ardh sahati me ra patriarkati”, është shprehur ajo, duke theksuar se amaneti i Arlindës është që përgjegjësit të mos mund të vazhdojnë jetën të qetë pa u përballur me drejtësinë.
Ndërkohë, protestuesit kanë vazhduar të brohorasin slogane në kërkim të drejtësisë dhe llogaridhënies institucionale.
“Edhe sa?”, “Gjumi s’ka me ju marrë” dhe “Flaka ka me iu dalë” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës.
Përmes këtij aksioni, protestuesit kanë ritheksuar kërkesën që rasti i Arlinda Zekajt të mos mbetet pa përgjegjësi dhe që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e grave.