Kosova

Kosovë: Opozita nuk ndryshon qëndrim për votimin e kryeparlamentarit

Të hënën do të tentohet për herë të katërt konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi të shtunën dështoi zgjedhja e kryetarit, duke krijuar një pengesë të re.

Lëvizja Vetëvendosje deklaron se përsëri do të propozojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, shkruan albinfo.ch.

Në seancën e së shtunës, LVV propozoi në dy raunde Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por dështoi zgjedhja e saj për shkak të mungesës së votave.

Në dy tentativat, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje mori 57 vota pro, 20 kundër dhe tre abstenime, shkruan albinfo.ch.

Por opozita thotë se qëndrimi i saj për votimin nuk ka ndryshuar.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se është kompetencë e partisë së parë të propozojë kryetarin e Kuvendit, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht përkrahjen e PDK-së për emrin.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka theksuar se përgjegjësia për sigurimin e votave i takon partisë së parë:

“Nuk është në asnjë lloj përgjegjësie të LDK-së të sigurojë shumicën për zgjedhjen e kandidatit të Vetëvendosjes, sepse nuk ka as marrëveshje politike, as angazhime të tjera politike… Partia e parë duhet t’i propozojë Kuvendit kandidatin për kryetar të Kuvendit. I takon vetëm partisë së parë të dalë me kandidat. Partia e dytë, partia e tretë dhe pesë propozime të tjera që vijnë pas kryetarit janë pozita të nënkryetarëve, të caktuara sipas ulëseve në Kuvend. Kur të na vijë radha për kryetar të Kuvendit, ne do të propozojmë kandidatin e LDK-së,” ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.