Mbi 120 sportistë dhe anëtarë të delegacionit të Kosovës kanë parakaluar në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026.
Flamurin e Kosovës në ceremoninë e hapjes e bartën boksierja Donjeta Sadiku dhe taekwondisti Bleron Ademi, të cilët udhëhoqën ekipin gjatë parakalimit në stadiumin “Iacovone” të Tarantos.
Ceremonia u zhvillua para më shumë se 20 mijë shikuesve dhe u karakterizua nga një program i pasur me shfaqje kulturore e artistike, të ndërthurura me elemente të traditës italiane.
Krahas sportistëve dhe drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës, të udhëhequr nga presidenti Ismet Krasniqi, në ceremoninë hapëse ishin të pranishëm edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe ministrat Blerim Gashani dhe Elbert Krasniqi.
Kosova në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 përfaqësohet nga një delegacion i gjerë sportistësh, të cilët do të synojnë rezultate dhe medalje në disiplinat ku do të garojnë.