Zhvillim

Kosova me ligj për mbrojtjen e investimeve

Ligji parasheh masa ndëshkuese ndaj çdo autoriteti publik që shkel apo dështon të respektojë të drejtat dhe garancitë e siguruara për investitorët e huaj dhe investimet e tyre

 

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e të premtes ka miratuar tri projektligje, në mesin e të cilëve edhe Projektligjit për Investimet e Huaja, me të cilin u garanton mbrojtje, promovim dhe siguri investitorëve të huaj që vijnë në Kosovë. Ky projektligj është i bazuar mbi standardet ndërkombëtare të investimeve.

“Projektligji rregullon mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimi i investimeve të huaja në Kosovë duke u ofruar investitorëve të huaj të drejta dhe garanci fondamentale dhe të ekzekutueshme që u japin siguri investitorëve të huaj në pajtim të plotë me ligjet, standardet dhe praktikat ndërkombëtare”, tha kryeministri Hashim Thaçi.

Projektligji, siç tha më tej kryeministri, parasheh masa ndëshkuese ndaj çdo autoriteti publik që shkel apo dështon të respektojë të drejtat dhe garancitë e siguruara për investitorët e huaj dhe investimet e tyre.

“Projektligji për Investimet e Huaja i detyron ata që pengojnë investitorët, që të paguajnë kompensimin për humbjet dhe harxhimet e shkaktuara si pasojë e një shkeljeje apo dështimi të tillë”, konsideron kryeministri, sipas të cilit, miratimi i këtij Ligji do të përmirësojë edhe renditjen e Kosovës në ranglistën e Bankës Botërore për kushtet e vendeve për të bërë biznes.

Përveç këtij projektligji Qeveria ka miratuar edhe dy projektligje të tjera, Projektligjin për Produktet e Ndërtimit dhe Projektligjin për Institutin e Kosovës, një udhëzim administrativ, dy rregullore, një strategji dhe katër vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar kabinetin qeveritar dhe ministrin e Financave dhe tërë spektrin politik në Kuvendin të Kosovës për miratimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2013. kuvendi dje mirato buxhetin për vitin 2013 në vlerë mbi 1.5 miliard euro

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se ky është buxheti më i lartë i Kosovës deri tani dhe ai është garanci për zhvillim dhe qëndrueshmëri të Republikës së Kosovës.