Kosova

Kosova dhe ruajtja e shtetësisë

Shkruan: Mr.Emrush T.Shkodra

Marrëveshje reciproke, marrëveshje e ndërsjellë, draft dokument, aneks dokument, njohje në qendër, marrëveshje pa njohje reciproke !

Krejt këto gjëra që viteve të fundit i kemi dëgjuar në opinion të ardhura nga qarqe Evropiane, e të transmetuara nga media të caktuara brenda vendit, behën për Kosovën, e sidomos jemi dëshmitarë të ditëve të fundit që kjo trysni është shfaqur tejet në mënyrë agresive sidomos kundrejt Kosovës për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, e konkretisht zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën!

Atëherë!
Çfarë situate momentale kemi?

Terë këto bisedime që bëhen përmes trysnisë, presionit, marrëveshjeve, kërkesës për jetësimin e asosacionit të komunave me qendër komunitetin serb, të drejtat e pakicave me theks të veçantë atij serb, liria e lëvizjes, ndërrimi i targave të veturave, regjistrimi i qytetarëve të Kosovës si pjesë e kësaj Republike, marrëveshja e energjisë elektrike, pagesa e energjisë së shpenzuar, tërësia e këtyre retorikave që ne dëgjojmë kohëve të fundit, është dhe bëhet mbi Kosovën, jo mbi dhe për Serbinë.

Pra!
Negociatat e bisedimet, e arritja e marrëveshjeve bëhen për Kosovën, dhe territorin e saj!
Asgjë nuk negociohet për Serbinë, as nuk pritet asgjë të ndryshoj për Serbinë!

1.    Serbia vazhdon të mohoj ekzistencën e shtetësisë sonë, në anën tjetër kërkon bisedime dhe zbatimin e marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë.
2.    Serbia vazhdon të detyroj qytetarët serbë të Kosovës për mos dëgjueshmëri qytetare kundrejt institucioneve të Republikës sonë, në anën tjetër kërkon bisedime dhe zbatimin e marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë.
3.    Serbia nuk njeh dhe nuk zbaton asnjë marrëveshje të arritur në mes shteteve tona, në anën tjetër ajo kërkon bisedime dhe zbatimin e marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë.
4.    Serbia vazhdon të shkel të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Luginë, përfshirë vendbanimet shqiptare Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, kurse në anën tjetër kërkon bisedime dhe zbatimin e marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë.
5.    Serbia me forca të mëdha policore, ushtarake e paraushtarake ka rrethuar kufijtë tanë verior, duke qenë një kërcenim serioz për paqen dhe shtetësinë tonë, në anën tjetër kërkon bisedime dhe zbatimin e marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë!

Të vjen të pyesësh?!

Çfarë pavarësie paskemi shpallur ne?
Çfarë shteti paskemi ndërtuar ne?
Çfarë republikë posedojmë ne?

Më një marrëveshje, ose thënë më konkretisht më zbatimin e një marrëveshje të nënshkruar disa vite më parë nga autoritetet Kosovare (me vetëdije ose pavetëdije), ne, tërë këtë shtetësinë tonë, republikën tonë, komplet këtë PAVARËSINË tonë mundemi ta zhbëjmë?

Atëherë, cila është krekosja jonë për një ndërtim të shtetit të mirëfilltë me institucione të forta ndër vite?!

Shteti ynë, republika jonë, konkretisht PAVARËSIA jonë, sot është komplet e negociueshme!
Duke filluar nga kufijtë, nga liqenet, rrugët, pjesët e vendit, qytetet e fshatrat, ndërmarrjet shtetërore, energjia e pasuritë nëntokësore, liria e lëvizjes, qarkullimi, kultet fetare, trashëgimia kulturore, ekonomia, përfshirja në iniciativat rajonale, pranimi nëpër organizata ndërkombëtare, e shkon deri aty sa edhe liberalizimi i vizave është në tavolinën e negociatave, se pajtohet Serbia me këtë ose jo!

Për çfarë paskemi luftuar ne?
Për çfarë paskemi shpenzuar ne?
Çfarë paskemi ndërtuar ne?

Asgjë. E tëra duket si një skemë piramidale!
Ndërtuam me vite, me mund e sakrificë.
Me djersë e taksë…

Në fund një gjyle topi në maje, u shemb e tëra!
Nëse nuk shembët si tërësi, ajo bëhet jo funksionale, dhe nuk mund të riparohet më!

Ose edhe mund të riparohet, por duhet të numërojmë vitet!

Praktikisht, Serbia dhe përfshirja e saj në tërë këtë proces nuk humbet asgjë, ajo vetëm sa do të nxjerrë diçka nga hiçi si thuhet!
Sepse nuk bisedohet e nuk bëhet trysni nga faktori ndërkombëtar mbi Serbinë, e as për territorin serb, ajo bëhet mbi Kosovën dhe territorin e Republikës së Kosovës.

Pavarësia, shtetësia, republika jonë sot është në tavolinën e negociatave, për rrjedhojë të nënshkrimit të marrëveshjeve që janë bërë nga pala Kosovare, e që tani më janë edhe obligim ndërkombëtar!

Autoritet në Kosovë, sado që do të mund të ngritën e të bien!
Sado që do të kundërshtojnë, prolongojnë, orvatën të shmangin situatën e krijuar. Mund edhe të rrëzohen qeveri, mund po ashtu edhe të shkojmë në zgjedhje, por në fund të gjithë do të vijmë në një cak, zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes Kosovës dhe Serbisë.

Si rrjedhojë nuk mund të akuzojmë sot lidershipin udhëheqës për diçka që është neglizhuar e përçmuar dikur!

Iniciativa për unifikimin e faktorit karshi rrezikut dhe trysnisë ndërkombëtare e kundrejt dëmtimit të shtetësisë sonë, respektivisht republikës sonë, do të duhet të ndodhte dhe përkrahur nga të gjithë akterët e skenës politike, edhe atyre që ishin pjesë e nënshkrimeve, edhe e këtyre që qeverisin me vendin!

Si zgjidhje, përgjegjësia duhet të jetë gjithëpërfshirëse, dhe nuk munden ti bëjnë lajka asnjëra palë, e as nuk mund të fajësojnë njëra tjetrën!

Ndoshta nga unifikimi me qëllim ruajtjen e shtetësisë sonë, mund të rezistojmë më fortë karshi pjesës tjetër të botës, që duket se kemi mbetur të vetëm në tërë këtë trysni për zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjes së një kompromisi në mes shtetit tonë dhe atij serb.

Si ishte ajo: nga e thëna në të bërë, është në mes, një det i tërë.

____________
Për: albinfo.ch


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI