Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa konkretë drejt ndërtimit të besimit, ruajtjes së stabilitetit dhe përparimit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përcjell albinfo.ch.
Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Tammy Bruce, ka theksuar se paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësore, duke përcjellë qëndrimin e presidentit amerikan, Donald Trump, në raport me të dyja vendet.
“Trump admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet e prosperitet. I bëjmë thirrje dy palëve që të tregojnë përmbajtje, të bëjnë hapa praktikë drejt ndërtimit të besimit dhe ruajtjes së stabilitetit, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Bruce.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se qëndrimi i SHBA-së për misionin e UNMIK-ut mbetet i pandryshuar, duke vlerësuar se misioni ka vazhduar të funksionojë shumë më gjatë sesa ka qenë e nevojshme.
Në të njëjtën mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja e Danimarkës, Christina Markus Lassen, ka theksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet rruga për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas saj, përparimi në këtë proces varet nga vullneti i të dyja palëve dhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Lassen ka kërkuar që Kosova të ecë përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia të përmbushë zotimet e marra në kuadër të dialogut.
Ajo ka ngritur edhe çështjen e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, duke shprehur keqardhje për atë që e ka cilësuar si mungesë të përpjekjeve të mjaftueshme nga Serbia për të siguruar llogaridhënie për këtë rast.
Përfaqësuesja daneze ka folur gjithashtu për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat kanë kaluar në dy lexime në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së plotë të gjyqësorit dhe të Dhomave të Specializuara, duke kërkuar që çdo kundërshtim ndaj një aktgjykimi të trajtohet përmes procedurave përkatëse të apelit./Albinfo.ch