Kosova

Kosova dhe EASA forcojnë bashkëpunimin në fushën e aviacionit

Marrëveshjet e Punës synojnë të avancojnë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit, si dhe të forcojnë integrimin e aviacionit civil të Kosovës në mekanizmat evropianë të sigurisë.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AAC) ka organizuar dje ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Punës ndërmjet Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Marrëveshjet janë nënshkruar më 3 gusht 2026 nga Drejtori Ekzekutiv i EASA-s, ndërsa ceremonia e 14 gushtit u organizua me rastin e nënshkrimit të tyre nga pala kosovare, përkatësisht Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës.

Sipas AAC-së, këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe EASA-s, si dhe në integrimin e mëtejshëm të sistemit të aviacionit civil të Kosovës në mekanizmat evropianë të sigurisë së aviacionit.

Një nga përfitimet kryesore të marrëveshjeve është mundësimi i qasjes së AAC-së në bazën evropiane të të dhënave për sigurinë e aviacionit.

Po ashtu, marrëveshjet krijojnë kornizën e nevojshme ligjore për auditimet e performancës së AAC-së nga EASA dhe forcojnë bashkëpunimin në zbatimin e Marrëveshjes HPEA.

“Marrëveshjet e Punës paraqesin një hap të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe EASA-s dhe në integrimin e mëtejshëm të sistemit të aviacionit civil të Kosovës në mekanizmat evropianë të sigurisë së aviacionit”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Përmes këtyre marrëveshjeve pritet të krijohen edhe mundësi të reja për bashkëpunim teknik, shkëmbim të ekspertizës dhe ngritje të kapaciteteve profesionale e institucionale të AAC-së.

AAC ka theksuar se të gjitha autoritetet e aviacionit civil të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë nënshkruese të Marrëveshjes HPEA, kanë nënshkruar Marrëveshje Pune me EASA-n.

Nënshkrimi i marrëveshjeve shihet si një hap i rëndësishëm për sektorin e aviacionit civil në Kosovë dhe për forcimin e bashkëpunimit të tij me strukturat evropiane të sigurisë së aviacionit./Albinfo.ch