Në Nürnberg është zhvilluar Forumi i 4-t i Tregtisë me Shumicë në Bavari, ku u diskutuan sfidat dhe mundësitë e reja në zhvillimin ekonomik, me fokus të veçantë transformimin digjital dhe ndryshimet demografike, përcjell albinfo.ch.
Në këtë ngjarje, të mbajtur më 14 korrik 2026 nën moton “Formësimi aktiv i transformimit digjital dhe demografik”, morën pjesë mbi 100 përfaqësues nga politika, odat ekonomike dhe komuniteti i biznesit.
Pjesë e forumit ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Afrim Nura, i cili zhvilloi takime me përfaqësues të rëndësishëm të ekonomisë bavareze, përfshirë presidentin e LGAD-së, Christoph Leicher, drejtorin ekzekutiv Christian Klingler, anëtarin e presidiumit Frank Hurtmanns, si dhe Alexander Fortunato nga IHK Nürnberg për Mittelfranken.
Gjatë takimeve u diskutuan mundësitë për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Bavarisë, promovimin e potencialit investues të Kosovës dhe krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet kompanive të të dyja vendeve.
Kosova dhe Bavaria kanë potencial për bashkëpunim në fusha të ndryshme ekonomike, ndërsa dialogu i vazhdueshëm me institucionet dhe komunitetin e biznesit shihet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja dhe zhvillimit të përbashkët. /Albinfo.ch
