Lajme

KKSH “VATRA” e Bülachut shënon 30-vjetorin e themelimit

Në Bülach të Cyrihut, më 18 mars 2023, në praninë e shumë bashkatdhetarëve, u shënua 30-vjetori i themelimit të Klubit Kulturor Shqiptar “Vatra”

Pas intonimit të himnit kombëtar dhe atij shtetëror manifestimin e hapi, njëri nga anëtarët, ish-kryetari dhe aktivisti i devotshëm i këtij klubi z. Nexhmedin Isufi.

Duke folur për rëndësinë e këtij jubileu si dhe për rrugëtimin e klubit “Vatra”, zoti Isufi lexoi edhe mesazhin e kryetarit të parë të këtij klubi, z . Hysen Berisha, i cili për shkaqe objektive mungoi në këtë manifestim tejet të rëndësishëm, shkruan Albinfo.ch. Në letër z. Berisha përgëzoi të gjithë bashkudhëtarët e “Vatrës” që për 30 vjet investuan mund e djersë që klubi “Vatra” me gjithë sektorët shoqërues ta shtrijë aktivitetin e vet në Bülach, dhe jo vetëm.

Nexhmedin Isufi

Zoti Berisha po ashtu përgëzon edhe të gjithë ata individë ose grupe të dala nga Vatra e që veprojnë të pavarur në shoqata e klube të tjera, të reja.

 

Moderatori i kësaj mbrëmjeje, z. Shaban Haliti fjalën ia kaloi kryetarit aktual të ansamblit “Vatra”, z. Lulzim Krasniqit, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje e në veçanti konsullin e Republikës së Kosovës në Konsullatën e Cyrihut, z. Sami Kastrati, zonjën Shukrije Ramadani, deputeten e Kuvendit të Kosovës, z. Jeta Statovci etj.

Lulzim Krasniqi

Në ekspozenë e tij z. Krasniqi, veç tjerash, tha se, dikur, më 17 prill të vitit 1993 u mblodhën veprimtarët e patriotët: Hasan Daku, Zeqir Berisha, Ali Ferati, Jakup Daku, Enver Selimi, Xhelal Jakupi, Hasan Bunjaku, Naser Berisha e shumë të tjerë, bashkë me kryetarin Hysen Berisha dhe, njëzëri, themeluan KKSH “Vatra” me seli në Bülach. Me këtë emër, pas propozimit të shkrimtarit Fatos Arapi, u pagëzua ky klub i cili tash e 30 vjet po i lë gjurmët e veta në Zvicër.

Krasniqi vlerësoi po ashtu lart mbështetjen e vazhdueshme të KKSH “Vatra” që në kohëra të vështira, me mjete financiare, në shuma milionëshe, ndihmoi mbijetesën e segmenteve të rëndësishme të jetës në Kosovë e më gjerë. Këtu ai përmendi: minatorët, arsimtarët, Universitetin e Kosovës e të Tetovës, Fondin “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës” dhe Fondin “Vendlindja thërret” si mbështetës të UÇK-së për çlirimin e Kosovës etj.

Ai vlerësoi lart edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me shoqata e klube të tjera në Zvicër, e më gjerë.

Vilson Kçira

Kryetari i Klubit të Futbollit “Vatra”, z. Vilson Kçira, i cili po ashtu ishte pjesëmarrës aktiv në rrugëtimin e Vatrës, falënderoi sidomos bashkëveprimtarët e tij në fushën e sportit dhe vazhdoi zotimin e tij në mbarëvajtjen e klubit “Vatra” drejt sukseseve të reja.

Sami Kastrati

Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastrati duke përshëndetur punën 30-vjeçare të “Vatrës”, të pranishmit i uroi për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, për 25-vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, për festën e 8 Marsit etj. Kastrati trimëroi bashkatdhetarët tanë që besnikërisht i qëndruan prapa rrugëtimit 30-vjeçar të KKSH “Vatra”, duke kërkuar nga ta që një gjë të tillë të bëjnë edhe në të ardhmen.

Jeta Statovci

Deputetja dhe koordinatorja për miqësi me mërgatën, zonja Jeta Statovci, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi se ndihet krenare për përpjekjen e vazhdueshme të mërgatës sonë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke theksuar se “një komb nuk mund të jetojë pa ruajtur memorien kolektive të tij pa i ruajtur vlerat e tij identitare dhe natyrisht gjithmonë duke kujtuar historinë e tij”.

Shukrije Ramadani

Me një fjalë emocionuese para të pranishmëve në sallë u paraqit zonja Shukrije Ramadani, duke vënë në pah kontributin e saj dhe të bashkëshortit, heroit tonë Agim Ramadanit, përgjatë viteve të 90-ta, shkruan albinfo.ch. Ajo tha se ideja e Agimit ishte që rinia në mërgatë, krahas aftësimit moral e intelektual, si ushtarë të ardhshëm për çlirimin e Kosovës, të aftësohen edhe fizikisht.

Zonja Ramadani falënderoi të gjitha nënat, motrat, burrat, vajzat e djemtë tanë në mërgatë, që për vite të tëra ndihmuan në zhvillimin e kulturës, sportit dhe të shkollës shqipe, duke ruajtur kështu qenësinë shqiptare, përkatësisht thelbin e saj, pra, gjuhën amtare. Veç kësaj  ajo tha se mërgata ka krijuar vlera të reja në diasporë, të cilat duhet të ruhen e të barten brez pas brezi tek gjeneratat pasuese, vlera këto që u ruajtën edhe me gjakun tonë.

Shaban Haliti

Në shenjë falënderimi për kontributin e zonjës Ramadani për klubin “Vatra” organizatori e nderoi me një mirënjohje.

Programi vazhdoi me recitime, këngë dhe valle popullore nga anëtarët e Ansamblit “Vatra”, ndërkohë që manifestimin e nderoi dhe e begatoi prania në skenë edhe e anëtarëve të Shkollës së Vallëzimit “Shota” nga Aarau që dikur udhëhiqej nga, tashmë i ndjeri Agron Bajrami, kurse sot në skenë vjen në udhëheqje të vajzës së tij, Shkëndije Bajrami.

Në shenjë falënderimi për kontributin e individëve në rrugëtimin e suksesshëm të KKSH “Vatra”, kryesia aktuale dha  rreth 30 mirënjohje, disa prej të cilave ishin “Post mortem”.

Me rastin e këtij jubileu, të pranishmit i përshëndetën edhe publicistët Nysret Pllana e Xhevdet Kallaba.

Programin muzikor e begatuan edhe këngëtarë estradash nën tingujt e të cilëve vallëzuan edhe të pranishmit në sallë.

Teksti dhe fotot: Xhevdet Kallaba