Në mbledhjen e shtatë, ekzekutivi mori vendime për menaxhimin e emergjencave, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, marrëveshjet për sigurimet sociale me Austrinë dhe Turqinë, si dhe për çështje të tjera institucionale e financiare, transmeton albinfo.ch.
Qeveria e Kosovës ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh në mbledhjen e saj të shtatë, duke përfshirë ndryshime në fushën e inspektimeve, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ndarjen e mjeteve financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Në agjendë ishin edhe marrëveshjet ndërkombëtare, çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë dhe menaxhimi i ndërmarrjeve publike.
Ndër vendimet kryesore ishte miratimi i projektligjeve për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, si dhe Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Ky i fundit synon të forcojë mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e monumenteve dhe pasurive kulturore, duke përfshirë ndërhyrjen ndaj punimeve të paautorizuara dhe masat kundër dëmtimit të trashëgimisë.
Mbi 1.85 milionë euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Në aspektin financiar, Qeveria ka ndarë 1 milion e 852 mijë e 350 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Gjithashtu, është miratuar subvencionimi i renovimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
Një tjetër vendim lidhet me autorizimin e ministrit përkatës për nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë. Këto marrëveshje synojnë të rregullojnë bashkëpunimin ndërmjet vendeve në fushën e sigurimeve sociale.
Strategji për procedurat e apelit në Hagë
Qeveria ka miratuar edhe themelimin e Grupit Punues për hartimin dhe koordinimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Në mesin e vendimeve të tjera është miratimi i Programit për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për periudhën 2026–2028, si dhe vendime për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare.
Ekzekutivi ka vendosur gjithashtu kthimin e 5 mijë e 705 eurove në rastin e ndërmarrjes shoqërore “Komogllava”.
Emërohet Bordi i Përkohshëm i ndërmarrjes për menaxhimin e deponive
Në kuadër të vendimeve për ndërmarrjet publike, Qeveria ka emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes “Kompania për Menaxhimin e Deponive” Sh.A.
Kryetare e bordit është emëruar Mirjeta Heta, ndërsa anëtarë janë Halit Kadriu, Azemine Demiri-Gazideda dhe Lirie Rrahimi-Ademi.
Po ashtu, është miratuar kërkesa për shitjen e automjeteve zyrtare të papërdorshme të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Vendimet e miratuara përfshijnë kështu një sërë fushash, nga administrimi publik dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore deri te bashkëpunimi ndërkombëtar, mbështetja financiare dhe menaxhimi i pasurisë publike./Albinfo.ch