Maqedonia

Kandidati shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut shpreson të kalojë në raundin e dytë

Arben Taravari, kandidati i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut, shpreson në mbështetjen e elektoratit shqiptar.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, pret që të kalojë edhe në balotazh.

Taravari ka folur edhe për opsionet që ai do të ofrojë për qytetarët maqedonas.

“Kemi bërë disa analiza me partnerët e koalicionit të opozitës shqiptare, e cila quhet VLEN dhe na rezultonte se ka gjasa reale që një shqiptar të kalojë në raundin e dytë, për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut. Duke konstatuar se me disa kandidatura që i analizuam me anketa mund të fitohen edhe vota të kombësive të tjera, që jetojnë në Maqedoni, në përkrahje të kandidaturës time. Do të shohim nëse do të mund t’i thyejmë barrierat që “një maqedonas nuk mund të votojë një shqiptar”. Gjërat kryesore për të cilat do të flasim janë hapja e Kushtetutës dhe unë mendoj se burim i krizës në Maqedoni është Kushtetuta, e cila u votua në fillim të viteve të ‘90 vetëm me mbështetjen e votuesve maqedonas, po gjithashtu ta shfrytëzojmë rastin të heqim përdorimin e “20%” prej gjuhës shqipe; pastaj zgjedhjen e presidentit. Do të kërkojë që ta zgjedhim presidentin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por edhe ndryshimin e gjithë Kushtetutës. Pse të mos e mendojmë Kushtetutën e vitit 1974 kur kishte decentralizim të mirëfilltë në Republikën Socialiste të Maqedonisë, ku gjuhë zyrtare kanë qenë ajo maqedonase, shqipe dhe turke dhe askush nuk ishte bërë pengesë”, u shpreh ai.

Arben Taravari beson se do të kalojë edhe në raundin e dytë të votimit.

“Unë besoj fuqishëm se mund të kalojmë në raundin e dytë, sidomos nëse nuk do të kishte kandidat edhe prej partisë tjetër shqiptare, BDI-së. Unë mendoj se kandidati shqiptar mund të shkojë në raundin e dytë, por edhe në këtë garë jam shumë optisimist, duke marrë parasysh mbledhjen e nënshkrimeve që e bëmë, për gati 36 orë u mblodhën 10 mijë nënshkrime. Unë e bazoj këtë edhe në zgjedhjen time në postin e kryetarit të Komunës së Gostivarit, për të cilën mora përkrahjen e të gjitha komuniteteve, sidomos të shqiptarëve, por edhe të votuesve maqedonas”, tha ai.

Tutje ka folur edhe për kandidatët e tjerë dhe thotë se ka respekt të plotë. Shton se hera e parë që nga viti 2002 që e gjithë opozita shqiptare është së bashku dhe pa dyshim do ta sjellim ndryshimin e shumëpritur tek shqiptarët.

Taravari bën të ditur që do e vazhdojë koalicionin VLEN-in edhe pas zgjedhjeve parlamentare dhe shton se nuk kanë pasur takime me VMRO-DPMNE-në.

Taravari po ashtu u shpreh se pas këtyre zgjedhjeve patjetër duhet të ndodhin ndryshimet kushtetuese. “Ne mendojmë se kjo është e domosdoshme. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër dhe nuk njoh parti politike në Maqedoni që ofron një opsion tjetër. Në qoftë se nuk i bëjmë ndryshimet kushtetuese, ne mbesim jashtë mundësisë për të filluar negociatat dhe do të këmbëngulim me çdo kusht dhe ky të jetë kushti ynë për të qenë pjesë e një shumice të re. Pra, që ndryshimet kushtetuese të ndodhin brenda një afati kohor të kufizuar dhe që të fillojnë negociatat me BE-në”, u shpreh ai./VOA