Integrimi
I dorëzohet Kancelarisë Federale peticioni kundër procesit “Monstra”
Teksti i peticionit është dërguar edhe në Ambasadën e Maqedonisë në Bernë, ku këshilli ka shkuar me shoqërim të policisë së Bernës
Këshilli Organizativ, i krijuar në Zvicër, për sensibilizim të opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare lidhur me procesin “Monstra” ka bërë sot aktivitetin e radhës, në Bernë. Siç dihet, rreth një vit më parë, një grup shqiptarësh kanë marrë dënimet kapitale nga një gjykatë e Shkupit për vrasjen enigmatike të pesë të rinjve maqedonas.
Ndërsa sot, një grup prej pesë vetash, i kryesar nga iniciuesi i këtij këshilli, Florim Kadriu, ka sjellë peticionin me 1145 nënshkrime në Kancelarinë Federale që gjendet në ndërtesën e Parlamentit Federal të Zvicrës. Pas kësaj, teksti i peticionit është dërguar edhe në Ambasadën e Maqedonisë në Bernë. albinfo.ch ka qenë e pranishme në të dy aktivitetet.
Para Pallatit Federal Këshilli, sipas marrëveshjes paraprake, është pritur nga Elie Burgos, shef i Seksionit për të Drejtat Politike në Kancelarinë Federale. Ai ka falënderuar aktivistët shqiptarë për kurajën e tyre qytetare dhe i ka siguruar se shqetësimi i tyre do të përcillet në adresën e duhur.
“Qëllimi ynë ka qenë që të njoftojmë dhe sensibilizojmë OSBE-në për të vepruar në lidhje me rastin “Monstra”, që për ne është një shkelje e madhe e të drejtave të njeriut, e bërë në emër të drejtësisë. Peticionin e dorëzuam këtu, në Kancelarinë Federale, për faktin se ministri i jashtëm i Zvicrës, Didier Burkhalter deri në fund të këtij viti mban postin e kryesuesit të OSBE-së dhe është njëherësh (ende) kryetar i Federatës së Zvicrës” tregon Florim Kadriu për albinfo.ch.
Florimi, i cili punon si punëtor administrativ në filialin e një kompanie të madhe ndërkombëtare në Zvicër, thotë se është përfshirë në këtë aksion pasi që ka qenë i bindur se të dënuarve në rastin “Monstra” u është bërë një padrejtësi e madhe.
Siç shihet edhe nga komunikimi me autoritetet zvicerane në Pallatin Federal dhe në korrespondencën që ka mbajtur, ai ka krijuar besim të madh te ta. Florimi ka studiuar mirë kompetencat që ka OSBE dhe organizatat tjera ndërkombëtare sa i takon çështjes që ka marrë përsipër dhe kjo ka krijuar një raport respekti të ndërsjellë.
Pas dorëzimit të peticionit në Kancelarinë Federale, grupi i vogël, me dy flamuj kombëtarë dhe me një pankartë të shkruar në gjuhen angleze dhe shqipe, i shoqëruar dhe i siguruar nga policia e Bernës, ka shkuar te ndërtesa e Ambasadës së Maqedonisë, në Bernë.
“Policia na e ka dhënë me kohë lejen për t`iu drejtuar Ambasadës së Maqedonisë dhe për të na e siguruar këtë paraqitje tonën para saj. Kjo nuk është hera e parë. Një herë e kemi bërë këtë edhe në muajin gusht të verës që shkoi”, na tregon Florimi rrugës, deri sa ecim këmbë drejt Ambasadës.
Me të mbërritur te porta e ndërtesës ku është vendosur Ambasada e Maqedonisë, grupi i vogël shpalos pankartën dhe flamujt që kishte me vete. Presin disa minuta që të dalë dikush nga ambasada për ta marrë në dorëzim tekstin e peticionit. Stafi ishte i njoftuar me kohë nga policia për ardhjen e këshillit. Por, pasi që askush nuk paraqitet, Florimi, si udhëheqës i grupit e lexon tekstin e peticionit në gjuhën shqipe. Aty ai i drejtohet Qeverisë së Maqedonisë që të ndërmarrë gjithçka për të siguruar një rigjykim të pavarur dhe të pa ndikuar nga politika lidhur me rastin e rëndë.
Askush nga stafi i Ambasadës nuk del për të pranuar tekstin, kështu që Florim Kadriu në emrin e këshillit ia jep atë policëve që ishin në përcjellje, për t`ia dorëzuar Ambasadës në rrugë zyrtare.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Itali
Romë: Arbenita Ibrahimi shkëlqen në skenën e “Notti Romane” Nxënësja e Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko” u bë pjesë e programit “The Best Young Talents... -
Zvicër
Dr. Zana Spahija Taturi, gjinekologia shqiptare që po kontribuon në luftën kundër FGM/C -
Talentet e Kosovës synojnë Oxford-in, nis fushata për mbështetjen e nxënësve të rinj -
Romë
Nga Prizreni në Romë: Hira Haxhibeqiri po ngjitet në skenën e muzikës serioze -
Mërgimtari përfshihet në aksidentin tragjik në Shtime–Lipjan, një person humb jetën
Jeta në Austri
-
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin 59-vjeçari, i cili tashmë ka një dënim të mëparshëm për vrasje, u shpall gjithashtu fajtor për... -
Vetëm 3 nga 30 kafenetë e Vjenës shërbejnë ujë falas -
Dhëniet e shtetësisë austriake rriten me 17% në gjysmën e parë të vitit 2026 -
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht -
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat










