Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pritet që gjatë ditës së sotme të caktojë datën e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke shënuar një hap të ri në procesin e formimit të institucioneve, transmeton albinfo.ch.
Sipas deklarimeve të saj, seanca konstituive pritet të mbahet gjatë javës së parë të muajit gusht.
Haxhiu ka sqaruar se vendimi për të mos e caktuar më herët datën kishte për qëllim t’u jepte kohë partive politike të vazhdonin negociatat për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Ajo ka vlerësuar pozitivisht takimet e zhvilluara ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe drejtuesve të partive opozitare, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut politik.
“Lidhja Demokratike e Kosovës i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme, por është e rëndësishme që këto bisedime të vazhdojnë sa më parë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, ka deklaruar Haxhiu.
Njëkohësisht, ajo ka hedhur poshtë raportimet për një marrëveshje të arritur ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për formimin e institucioneve.
“Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte një të tillë, do ta bënim publike. Ka pasur diskutime për rrugën përpara, por jo marrëveshje”, është shprehur Haxhiu. /Albinfo.ch