Kosova

Goditje polare drejt Kosovës, temperaturat bien deri në 16°C

Nga vapë në freski, goditja polare ul temperaturat në Kosovë

Kosova pritet të përfshihet nga një valë e ftohtë me origjinë polare, e cila do të sjellë reshje shiu dhe rënie të ndjeshme të temperaturave, njofton MeteoKosova, përcjell albinfo.ch.

Sipas parashikimit, të premten vendi do të ndikohet nga masa të ftohta dhe të lagështa ajrore, të shoqëruara me reshje lokale shiu, të cilat herë pas here mund të jenë në formën e rrebesheve afatshkurtra. Në disa zona nuk përjashtohet mundësia për vetëtima dhe bubullima.

Era do të fryjë nga veriu me shpejtësi 15 deri në 45 km/h, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 14 gradë Celsius. Maksimalet pritet të jenë vetëm 16 deri në 19 gradë, duke krijuar ndjesinë e një moti më tipik vjeshtor, ndonëse jemi në kulmin e verës.

Nga dita e shtunë moti pritet të stabilizohet gradualisht, me më shumë intervale me diell dhe temperatura deri në 25°C, ndërsa të dielën maksimalet mund të arrijnë rreth 30°C./Albinfo.ch