Lajme
Gjykata Federale e Apelit bllokon vendimin për rikthimin në transmetim të “Zërit të Amerikës”
Një gjykatë federale apeli në SHBA ka pezulluar një vendim të mëparshëm që urdhëronte administratën Trump të lejonte rikthimin në transmetim të Zërit të Amerikës (VOA), transmeton DW, përcjell albinfo.ch.
Vendimi i së shtunës, i marrë me rezultatin 2–1, ndalon zbatimin e urdhrit të gjykatës së shkallës së parë, duke lënë në fuqi pezullimin e vendimit të mëparshëm të gjykatësit Royce Lamberth, i cili më 22 prill kishte urdhëruar administratën të merrte masa për të rikthyer në detyrë mbi 1,000 punonjës të pezulluar dhe rreth 600 kontraktorë të larguar nga USAGM — agjencia mëmë e VOA-së.
Në vendimin e saj, shumica e trupit gjykues argumentoi se gjykatësi Lamberth nuk kishte juridiksion për të ndërhyrë në këtë çështje. Megjithatë, gjyqtarja Cornelia Pillard nuk u pajtua me shumicën, duke paralajmëruar se vendimi “gati garanton që rrjetet nuk do të ekzistojnë më në asnjë formë kuptimplote deri në kohën kur kjo çështje të gjykohet plotësisht.”
Ky zhvillim ndodh pak ditë pasi ishin shfaqur raportime se VOA po përgatitej të rifillonte operacionet javën e ardhshme, bazuar në komunikimet mes avokatëve të organizatës dhe Departamentit të Drejtësisë. Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” kishte konfirmuar këtë mundësi, duke e cilësuar rikthimin e stafit si një hap drejt normalizimit.
Ndërkohë, Kari Lake, ish-transmetuese dhe e emëruar nga Trump për të mbikëqyrur USAGM, përshëndeti vendimin e gjykatës së apelit: “FITORE E MADHE në çështjet tona ligjore në USAGM dhe Zërin e Amerikës. Fitore e madhe për Presidentin Trump dhe Artikullin II,” shkroi Lake në platformën X.
Zëri i Amerikës, i financuar nga taksapaguesit amerikanë, ka qenë një kanal i rëndësishëm i diplomacisë publike që nga Lufta e Dytë Botërore. Pezullimi i tij për më shumë se një muaj ka ngritur shqetësime serioze për lirinë e shtypit dhe ndikimin politik në mediat publike, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Sabahat Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është shndërruar në një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës Nga 9 deri më 13 shtator, Berna do të jetë sërish nikoqire e festivalit Kino Kosova,... -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën -
Konsullata e Kosovës në Gjenevë organizon aktivitete përkujtimore për personat e zhdukur -
Konferenca IV “Ekonomia shpëton Luginën” mbahet me 26 shtator në Bujanoc
Jeta në Austri
-
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë Ai largohet nga kampioni aktual i Zvicres pas 7 vitesh, për një vlerë prej 1... -
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë? -
Austri: Meteorologët japin paralajmërim për stuhi












