Lajme

Gjermania merr një vendim në raport me Ukrainën

Lambrecht tha se Gjermania do të ofronte ndihmën e saj në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe në shmangien e sulmeve ajrore ruse

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht inspektoi një tank anti-ajror “Gepard”, të siguruar nga vendi i saj, gjatë vizitës së saj të parë në Ukrainë.

Gjatë një fjalimi në portin e Odesës, ku do të përdoret pajisja ushtarake, Lambrecht tha se Gjermania do të ofronte ndihmën e saj në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe në shmangien e sulmeve ajrore ruse, transmeton dpa, përcjell Albinfo.ch.

Në një takim me homologun e saj ukrainas, Oleksii Reznikov, Lambrecht tha se njësia e parë e sistemit të mbrojtjes ajrore me bazë tokësore Iris-T SLM do të dorëzohej në ditët e ardhshme.

Gjermania synon t’i sigurojë Ukrainës fillimisht katër sisteme Iris-T SLM dhe financime për tre të tjerë. Një sistem përbëhet nga katër automjete, një njësi e kontrollit të zjarrit dhe tre raketahedhës. Sistemi është projektuar për të mbrojtur një qytet të vogël nga sulmet në ajër.

Lidhur me kërkesat e Ukrainës për furnizime me tanke, Lambrecht përsëriti se Gjermania do të vazhdonte të koordinohej me partnerët e saj për vendime të tilla të mëdha.

Deri më tani, qeveria gjermane ka dorëzuar në Ukrainë, armë me vlerë 734 milionë euro (719 milionë dollarë).

Gjatë vizitës së saj në Odesa, Lambrecht u strehua përkohësisht në një bunker për 45 minuta  për shkak të një alarmi për një sulm ajror.