Bota

Gjermania me disa masa për uljen e çmimeve të karburanteve

Me uljen e taksës për karburantet nga tetori dhe vendosjen e një çmimi tavani për karburantet nga janari, qeveria gjermane synon të frenojë rritjen e kostove të karburantit

Qeveria gjermane planifikon të zbusë goditjen e çmimeve në pikat e karburantit përmes disa masave dhe thekson, se planet e saj miliardëshe janë ndihmë për të gjithë. “Ne po veprojmë sepse qytetarët dhe bizneset kanë nevojë tani për lehtësime konkrete”, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche. Sipas politikanes së CDU-së, ulja e miratuar prej 17 centësh për litër karburant dhe tavani i planifikuar i çmimeve do t’u sjellin përfitime familjeve, sektorit të zejtarisë, ndërmarrjeve të mesme dhe industrisë.

Si gjatë verës, ulja e taksës mbi energjinë synon ta bëjë një litër naftë ose benzinë rreth 17 cent më të lirë. Ky lehtësim pritet të jetë në fuqi nga tetori deri në fund të vitit. Kostoja e masës vlerësohet të arrijë në rreth 2,5 miliardë euro. Qeveria gjermane po ashtu synon të vendosë një tavan për çmimin e karburanteve jo më vonë se 1 janari, një kërkesë që SPD-ja e ka mbështetur prej kohësh. Bëhet fjalë për një çmim maksimal të përcaktuar nga shteti për karburantet në pikat e furnizimit, i ngjashëm me modelet që zbatohen në Luksemburg dhe Belgjikë, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Njoftimi për lehtësimet është pritur pozitivisht, ndër të tjera, nga Shoqata Gjermane e Fermerëve dhe sektori i logjistikës. “Ne e mirëpresim këtë propozim për uljen afatshkurtër të taksës mbi energjinë për karburantet”, deklaroi presidenti i fermerëve, Joachim Rukwied, për gazetën Bild. Por njëkohësisht, ai kërkoi masa të mëtejshme. Sipas tij, synimi duhet të jetë që çmimi i naftës në Gjermani të afrohet në mënyrë të qëndrueshme me nivelin e shumë vendeve fqinje evropiane. “17 cent për litër mund të zbusë barrën akute financiare”, vlerëson edhe kreu i Federatës Gjermane të Transportit të Mallrave, Logjistikës dhe Menaxhimit të Mbetjeve, Dirk Engelhardt. Megjithatë, sipas tij, vendimtare është që tavani i paralajmëruar i çmimeve të zbatohet vërtet dhe të funksionojë sidomos në periudhat kur çmimet e naftës bruto arrijnë nivele jashtëzakonisht të larta, sipas gazetës Bild.

“Përkulje para koncerneve të fuqishme të naftës”

Nga ana tjetër, masat e qeverisë hasën në kritika nga opozita, organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe shoqatat sociale. Fjalët më të ashpra i gjeti nënkryetari i grupit parlamentar të të Gjelbërve, Andreas Audretsch. “Rikthehet subvencionimi për karburantin. Çfarë çmendurie!”, deklaroi ai për gazetat e rrjetit mediatik gjerman Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND). Sipas tij, paratë duhet të përfundojnë tek qytetarët dhe jo tek kompanitë e naftës. Fakti që qeveria po heq dorë nga vendosja e një takse mbi fitimet e jashtëzakonshme konsiderohet prej tij si “një përkulje para koncerneve të fuqishme të naftës”. Në vend të kësaj, Audretsch kërkoi pagesën e një ndihme energjetike direkte për qytetarët.

Edhe ekspertja e organizatës mjedisore Greenpeace, Marissa Reiserer i kritikoi masat, pasi “një pjesë e madhe e këtyre parave përfundon si fitime të jashtëzakonshme në xhepat e koncerneve të naftës.” Ajo theksoi se qeveria federale është paralajmëruar për këtë nga shumë palë të ndryshme. Megjithatë, sipas saj, ajo po vendos sërish të mbështetet te “ky subvencion i papërshtatshëm”. Në vend që të shpërdorohen miliarda euro nga taksat përmes masave të përgjithshme që nuk synojnë drejtpërdrejt grupet në nevojë, duhet të trajtohet problemi i vërtetë: varësia nga nafta, argumentoi Reiserer.

Edhe drejtuesja e Federatës Gjermane të Organizatave për Mbrojtjen e Konsumatorëve (vzbv), Ramona Pop, i kritikoi masat e planifikuara si të pamjaftueshme dhe jo mjaftueshëm të orientuara drejt grupeve që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Projektet e qeverisë janë “të kushtueshme, dritëshkurtra dhe pak të fokusuara”, deklaroi Pop për gazetën Rheinische Post. “Në vend të kësaj, nevojiten masa lehtësuese që të arrijnë mbi të gjitha familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke pasur njëkohësisht parasysh fillimin e sezonit të ngrohjes,” kërkoi mbrojtësja më e lartë e konsumatorëve në Gjermani.

Në të njëjtën linjë argumenton edhe presidenti i Institutit ifo, Clemens Fuest . “Mendoj se subvencioni për karburantin është një gabim”, deklaroi ai për gazetën Bild. Sipas Fuestit, shteti shpenzon shumë para për këtë masë, ndërsa përfituesit kryesorë janë në një masë të madhe shoferët që mund t’i përballojnë çmimet e larta të benzinës.

Nga këndvështrimi i tij, do të kishte qenë më e arsyeshme që ndihma shtetërore të ishte më e targetuar dhe të shkonte drejtpërdrejt tek qytetarët dhe familjet që preken më rëndë nga rritja e kostove të energjisë dhe transportit.