Skip to content

Gjermani: Dy zyrtarë vriten gjatë kontrollit të armëve, arrestohet 60-vjeçari i dyshuar

Ngjarja e rëndë ndodhi në Bavari, gjatë një kontrolli rutinor për verifikimin e ruajtjes së armëve të regjistruara ligjërisht. I dyshuari u arrestua pas më shumë se 12 orësh negociata dhe një operacioni të gjerë policor.

Dy punonjës të administratës lokale janë vrarë me armë zjarri gjatë një kontrolli zyrtar në një banesë në Berngau, në landin gjerman të Bavarisë. Policia ka arrestuar një 60-vjeçar, i cili dyshohet se hapi zjarr ndaj tyre dhe më pas u barrikadua në shtëpinë e tij, raporton albinfo.ch.

Viktimat, një burrë 45-vjeçar dhe një grua 54-vjeçare, punonin në administratën e qarkut Neumarkt in der Oberpfalz. Ata kishin shkuar të enjten në banesën e të dyshuarit për të kontrolluar nëse armët e tij, të cilat i posedonte ligjërisht, ruheshin në përputhje me dispozitat përkatëse.

Sipas policisë, të shtënat u dëgjuan rreth orës 14:00. Zyrtari 45-vjeçar u gjet i vdekur jashtë ndërtesës, ndërsa trupi i pajetë i koleges së tij u gjet më vonë brenda banesës.

Pas incidentit, i dyshuari u mbyll brenda shtëpisë dhe kontaktoi policinë përmes telefonit. Ai pranoi se kishte qëlluar me armë zjarri dhe paralajmëroi se nuk do të dorëzohej pa rezistencë.

Autoritetet angazhuan njësi speciale, automjete të blinduara dhe një helikopter policor. Ndërkohë, negociatorët u përpoqën për disa orë ta bindnin të dyshuarin të dorëzohej në mënyrë paqësore, ndërsa banorëve të zonës iu kërkua të qëndronin në shtëpitë e tyre ose të shmangnin vendin e ngjarjes.

Operacioni përfundoi rreth orës 02:20 të së premtes, kur policia ndërhyri në ndërtesë duke përdorur mjete shpërthyese. Gjatë arrestimit, efektivët qëlluan ndaj të dyshuarit, duke e plagosur lehtë në këmbë. Ai mori trajtim mjekësor pas arrestimit.

Deri më tani, autoritetet gjermane nuk kanë bërë të ditur motivin e mundshëm të sulmit. Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e vrasjes së dy zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës së tyre./Albinfo.ch