Kosova

Ministri Hoti do të pritet në Gjenevë nga Komiteti i OKB-së për zhdukjet me dhunë

Më 31 gusht 2026, ai do të jetë pjesë e delegacionit që do të pritet në Pallatin e Kombeve në Gjenevë nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare Andin Hoti do të marrë pjesë nesër, më 30 gusht 2026, në aktivitetet e organizuara në Gjenevë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Viktima të Zhdukjeve me Forcë. Përfshirë këtu edhe “Marshin për Drejtësi”, që do të zhvillohet nga Parc des Cropettes deri në Sheshin e Kombeve në Gjenevë dhe në Mbrëmjen kushtuar Ukshin Hotit. Albinfo.ch është sponsor medial i këtyre aktiviteteve.

Prania e tij në këtë manifestim, së bashku me përfqësues nga komisioni qeveritar për personat e zhdukur dhe instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë me mbart një domethënie të veçantë, pasi Z. Hoti do të përfaqësojë zërin e familjeve të personave të zhdukur në Kosovë, të cilat vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe të drejtën për të ditur fatin e më të dashurve të tyre.

Të hënën, më 31 gusht 2026, Z. Andin Hoti do të jetë gjithashtu pjesë e delegacionit që do të pritet në Pallatin e Kombeve në Gjenevë nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë.

Gjatë këtij takimi do të dorëzohet dokumenti “Letër nga Kosova”, përmes të cilit Z. Hoti edhe si përfaqësues i familjeve të viktimave të zhdukjes me forcë nga Kosova dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile zvicerano-shqiptare nga Gjeneva dhe Parisi do t’i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojë angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në Kosovë.

Delegacioni do të koordinohet dhe udhëhiqet nga znj. Mirishahe Limani Hiler, organizatore e manifestimit dhe aktiviste e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Mesazhi është i qartë: familjet nuk mund të vazhdojnë të jetojnë në pritje dhe pasiguri. E vërteta, drejtësia dhe e drejta për të ditur për fatin e të zhdukurve me dhunë janë të drejta themelore që nuk mund të mohohen.