Kosova
Festat bëhen barrë në Kosovë për shkak të çmimeve, diaspora shihet si shpëtim
Në këtë situatë, remitencat e diasporës bëhen një mbështetje jetike
Në Kosovë, festat e fundvitit nuk janë thjesht kohë gëzimi – për shumë familje, ato janë një provë reale financiare.
Çmimet e larta të produkteve bazë, ushqimore dhe të energjisë e bëjnë të vështirë përballimin e shpenzimeve festive për familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.
Besim Krasniqi, punonjës në sektorin privat me një pagë prej 550 eurosh në muaj, duhet të kursejë gati gjysmën e të ardhurave mujore vetëm për të përballuar shpenzimet e natës së Vitit të Ri.
“Çdo ditë dal në dyqane dhe i hulumtoj çmimet. Një kilogram mish i terur është 26.00 euro, ndërsa mishi i kuq i viçit ka arritur në 16.00 euro. Kjo është jashtë normales”, thotë ky banor i Prishtinës për Radion Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
Familja e tij 6-anëtarëshe mbështetet vetëm te paga e tij, dhe vitin e kaluar shpenzoi rreth 200 euro për festat. Sivjet parashikon të shpenzojë të paktën 270 euro, për shkak të rritjes së çmimeve.
“I kam katër fëmijë dhe ata kanë kërkesa – dekorime, ëmbëlsira, pije, mish e gjëra tjera”, thotë Krasniqi.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo rritje e çmimeve nuk është e rastësishme. Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, thotë se tregtarët shpesh shfrytëzojnë periudhat festive për të ngritur çmimet.
Kjo situatë, sipas tij, ushtron presion të madh mbi familjet me të ardhura të kufizuara, veçanërisht kur më shumë se gjysma e pagës mujore shkon për konsum.
Statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se trendi i rritjes së çmimeve ka nisur që muaj më parë. Sipas të dhënave të fundit, në tetor të këtij viti, çmimet e konsumit janë rritur për 5.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritjet më të mëdha janë regjistruar tek energjia elektrike (+20%), pemët (+15.3%), kafeja e çaji (+13%), mishi (+12.3%), qumështi, djathi dhe vezët (+7.5%).
Paga mesatare bruto në Kosovë është 639 euro, ndërsa të dhënat e ASK-së tregojnë se mbi 55% të kësaj page qytetarët e shpenzojnë vetëm për konsum.
Ky raport i lartë mes të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas ekspertit Mulaj, dëshmon qartë sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen konsumatorët për ta mbajtur nën kontroll koston e jetesës.
Ai thekson se disa nga produktet kryesore në tregun kosovar, si mielli, kushtojnë më shumë sesa në tregun e Bashkimit Evropian – gjë që bëhet edhe më problematike kur merret parasysh niveli më i ulët i pagave dhe standardi i jetesës. “Kjo shprehi e rritjes së çmimeve lë hapësirë për dyshime mbi marrëveshje të mundshme apo keqpërdorim të pozitës dominuese nga disa kompani”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë.
Një problem tjetër kritik mbetet mungesa e kontrollit institucional. “Tregtarët, në një mënyrë, janë bërë aq të fuqishëm, saqë edhe institucionet ekzekutive dhe ato të pavarura e kanë të vështirë të hyjnë në një ballafaqim profesional dhe të drejtpërdrejtë me ta, sepse për 20 vjet janë konsoliduar dhe kanë arritur të krijojnë pozita të forta në tregun e Kosovës”, thotë Mulaj.
Përshtypje të ngjashme ka krijuar edhe Krasniqi, i cili thotë se blen vetëm artikuj në zbritje. “Tregtarët nuk frikësohen. Nuk ka as kontroll të çmimeve, as inspektime”, sipas tij.
Çmimet e produkteve i përcaktojnë vetë tregtarët, në bazë të konkurrencës dhe raportit ofertë-kërkesë. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Inspektorati i Tregut monitorojnë tregun.
Megjithatë, asnjëri prej këtyre institucioneve nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të sqaruar nëse qytetarët kanë paraqitur ankesa për ngritjen e çmimeve, apo nëse parashihen kontrolle shtesë gjatë këtij muaji, kur vendi hyn në periudhën e festave të fundvitit, në të cilën çmimet tradicionalisht rriten.
Në këtë situatë, remitencat e diasporës bëhen një mbështetje jetike. “Pa diasporën”, thotë Mulaj, “Kosova do të kishte probleme të jashtëzakonshme ekonomike”.
Këto dërgesa, ashtu si dhe vizitat e mërgimtarëve gjatë sezonit të pushimeve përmirësojnë dukshëm standardin e jetesës dhe mbajnë gjallë konsumimin, sipas tij.
Vlera e remitencave deri më tash këtë vit ka kaluar 1 miliard euro.
Në mungesë të këtij “furnizimi të jashtëm financiar”, konsumi i ekonomive familjare do të binte ndjeshëm dhe, rrjedhimisht, qytetarët do të përballeshin me varfëri të thellë dhe mungesë të produkteve bazë, vlerëson Mulaj.
Mulaj thekson se një pjesë e çmimeve varet edhe nga tregu i jashtëm, pasi Kosova importon shumicën e mallrave. Sipas tij, institucionet nuk kanë krijuar një ambient mbështetës për prodhuesit vendorë që të rrisin prodhimin dhe të ofrojnë çmime më të ulëta.
Pa këtë politikë, tregu mbetet i varur nga importi dhe çmimet mbeten të larta. Në një adresim nga foltorja e Kuvendit, muajin e kaluar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “në Kosovë nuk ka krizë ekonomike”, prandaj “edhe nuk ka protesta të qytetarëve”.
Por, realiteti i përditshëm i familjeve si ai i Krasniqit tregon të kundërtën – një periudhë festive e shoqëruar me vështirësi të ndjeshme financiare. “Asnjëherë nuk shkoj në dyqan që të furnizohem për një ose dy javë, zakonisht i përcjell zbritjet javore ose ditore”, përfundon ai.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
127 fluturime direkte në një javë mes Prishtinës dhe Gjermanisë Ambasadori Faruk Ajeti: Lidhja mes dy vendeve është shumë më tepër se një udhëtim drejt vendlindjes.... -
Mërgimtarët vazhdojnë të vijnë në Kosovë, pa pritje të gjata në kufij -
Londër
Me plisa në kokë dhe me ushqime tradicionale, kadetët e FSK-së prezantojnë Kosovën në Britani -
Kishte ardhur nga Italia për pushime, sot i jepet lamtumira e fundit -
Kasami: Diaspora është partner strategjik për zhvillimin e Tetovës
Jeta në Austri
-
25% e fëmijëve gjermanë që jetojnë në Austri humbasin një vit shkollor Një e katërta e fëmijëve të vendosur në klasat speciale mbështetëse të gjuhës gjermane në Austri... -
Rita Ora emocionon Vjenën, shpërthen në lot teksa flet për rrënjët nga Kosova -
Austri
Rita Ora elektrizoi skenën në Vjenë me hitet e saj botërore -
Euro drejt ndryshimit, BQE prezanton modelet e reja të kartëmonedhave -
11-vjeçari Triumf Lupçi shkëlqen në arenën ndërkombëtare të pianos, ftohet të performojë në Mozarthaus të Vjenës












