Lajme

Elon Musk kufizon numrin e postimeve që mund të lexoni

Twitter ka aplikuar një kufi të përkohshëm në numrin e tweet-eve që përdoruesit mund të lexojnë brenda një dite, tha pronari Elon Musk. Kjo sipas miliarderit amerikan bëhet për të penguar “nivelet ekstreme” të grumbullimit të të dhënave dhe manipulimit të sistemit, njoftoi ai përmes një postimi në Twitter.

Për llogaritë e reja të paverifikuara, numri i postimeve është 500. Ndërkohë, llogaritë me status të “verifikuar” aktualisht janë të kufizuara në 10 mijë postime në ditë. Miliarderi amerikan fillimisht vendosi kufizime më të rrepta, por ai i ndryshoi këto brenda disa orësh pasi njoftoi lëvizjen.

Më herët, Twitter njoftoi se do t’u kërkojë përdoruesve të kenë një llogari në platformën e mediave sociale për të parë tweet-et, një lëvizje që Musk të premten e quajti një “masë emergjente të përkohshme”.

Musk ka shprehur pakënaqësi ndaj firmave të inteligjencës artificiale, si OpenAI, pronari i ChatGPT, për përdorimin e të dhënave të Twitter për të trajnuar modelet e tyre të mëdha gjuhësore.