Partia zvicerane Swiss People’s Party ka bërë të ditur se, nëse iniciativa e saj “Jo 10 milionëve” miratohet në referendumin e 14 qershorit, rreth 40 mijë qytetarë nga Bashkimi Evropian do të lejohen ende të vijnë për të punuar në Zvicër, përcjell albinfo.ch.
Kjo shifër është afërsisht 20 mijë më e ulët krahasuar me numrin e emigrantëve që kanë hyrë në tregun zviceran të punës gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, ekspertët ekonomikë paralajmërojnë se një kufizim i tillë mund të krijojë probleme serioze për tregun e punës në vend. Ekonomisti Hendrik Budliger theksoi se 40 mijë punëtorë në vit “nuk do të ishin të mjaftueshëm për të garantuar stabilitetin e fuqisë punëtore”.
Sipas tij, numri i personave që dalin në pension tashmë është më i madh se numri i të rinjve që hyjnë në tregun e punës. Situata pritet të rëndohet edhe më shumë me pensionimin gradual të gjeneratës së “baby boomers”.
Ekspertët vlerësojnë se pa emigracionin, tregu i punës në Zvicër do të ishte në tkurrje prej vitesh, veçanërisht në sektorë ku mungesa e punëtorëve tashmë është e ndjeshme./Albinfo.ch