Ekonomia gjermane ka shënuar rritje për të tretin tremujor radhazi, duke dhënë sinjale të një rimëkëmbjeje graduale pavarësisht pasigurive ekonomike dhe gjeopolitike, përcjell albinfo.ch.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.3 për qind në periudhën prill-qershor krahasuar me tremujorin paraprak. Rezultati është 0.1 pikë përqindjeje më i lartë se vlerësimi fillestar.
Rritja është mbështetur kryesisht nga eksportet, të cilat u shtuan me 2 për qind. Konsumi privat dhe ai qeveritar u rritën vetëm me nga 0.1 për qind, ndërsa investimet në makineri dhe automjete shënuan rënie.
Megjithatë, financat publike mbeten nën presion. Në gjysmën e parë të vitit 2026, shteti gjerman shpenzoi 71.3 miliardë euro më shumë sesa arkëtoi, ndërsa deficiti arriti në 3.1 për qind të prodhimit ekonomik.
Pavarësisht sfidave nga çmimet e energjisë, inflacioni dhe tensionet ndërkombëtare, disa ekonomistë presin që ekonomia gjermane të rritet me rreth 1 për qind gjatë vitit 2026. Kjo do të ishte një përmirësim i dukshëm krahasuar me rritjen prej vetëm 0.2 për qind në vitin 2025.