Bruto Produkti Vendor (BPV) i Kosovës shënoi rritje reale prej 4.06 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), përcjell albinfo.ch.
Sipas ASK-së, rritjen më të madhe ndër aktivitetet ekonomike e shënuan aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me 15.67 për qind, të ndjekura nga ndërtimtaria me 15.35 për qind.
Rritje u regjistrua edhe në sektorin e informacionit dhe komunikimit me 5.04 për qind, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike me 3.99 për qind, ndërsa tregtia, transporti, magazinimi, akomodimi dhe shërbimet ushqimore u rritën me 3.48 për qind.
Sipas metodës së shpenzimeve, formimi i bruto kapitalit u rrit me 11.91 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 9.83 për qind dhe eksporti me 6.82 për qind. Shpenzimet e konsumit final të Qeverisë u rritën me 7.02 për qind, ndërsa ato të ekonomive familjare dhe NPISH me 4.40 për qind.
Rritja prej 4.06 për qind në tremujorin e dytë vjen pas një rritjeje prej 5.27 për qind të BPV-së në tremujorin e parë të vitit 2026. /Albinfo.ch