Lajme

Dy ngjarje të rënda në Gjermani brenda një dite: shpërthim në Augsburg dhe sulm i dyshuar me dron në Leipzig

Dy persona u plagosën nga shpërthimi pranë stacionit qendror të Augsburgut, ndërsa në Leipzig hetuesit kanë identifikuar dy persona me lidhje me Rusinë, të dyshuar për tentativën e sulmit me dron ndaj një avioni transporti

Gjermania u përball të mërkurën me dy incidente të rënda të sigurisë. Në Augsburg, një shpërthim pranë stacionit qendror la të plagosur lehtë dy persona dhe shkaktoi një operacion të madh policor, ndërsa në Leipzig hetuesit identifikuan dy persona që dyshohet se janë të përfshirë në një tentativë sulmi me dron dhe eksploziv ndaj një avioni transporti, transmeton albinfo.ch.

Megjithëse të dyja ngjarjet kanë ndodhur në të njëjtën ditë, autoritetet gjermane nuk kanë bërë të ditur ndonjë lidhje mes tyre.

 

Shpërthimi në Augsburg – dy të rinj të plagosur

Shpërthimi ndodhi rreth orës 03:15 të mëngjesit, në një kalim të një ndërtese në Bahnhofstraße, pranë stacionit qendror të Augsburgut, në Bavari. Sipas policisë, shpërtheu një objekt ende i paidentifikuar.

Nga shpërthimi u plagosën lehtë një 17-vjeçare dhe një 18-vjeçar, të dy me shtetësi ukrainase. Ata pësuan traumë akustike nga fuqia e shpërthimit. Gjithashtu u dëmtuan disa xhama të ndërtesës.

Situata u bë edhe më serioze disa orë më vonë, kur në tunelin e stacionit kryesor u gjet një objekt i dyshimtë. Për këtë arsye, stacioni u mbyll përkohësisht dhe qarkullimi i trenave u ndërpre, ndërsa në vendngjarje u angazhuan specialistë të Zyrës së Policisë Kriminale të Bavarisë.

Më vonë, autoritetet dhanë alarmin e gjelbër dhe stacioni u rihap. Objekti i dyshimtë nuk përbënte rrezik.

Megjithatë, origjina dhe motivi i shpërthimit të parë mbeten ende të paqarta. Policia kriminale dhe ekspertët e eksplozivëve vazhdojnë hetimet.

 

Në Leipzig, hetimi çon te dy persona me lidhje me Rusinë

Ndërkohë, një tjetër çështje shumë më e ndjeshme po hetohet në Leipzig. Bëhet fjalë për tentativën e sulmit me dron ndaj një avioni transporti në aeroportin Leipzig/Halle, incident që kishte ndodhur në fillim të gushtit.

Hetuesit gjermanë kanë identifikuar dy të dyshuar, të cilët sipas mediave gjermane kanë lidhje me Rusinë. Njëri është një burrë i lindur në Rusi, me pasaportë letoneze, ndërsa tjetri është një shtetas bjellorus që posedon pasaportë ruse.

Sipas hetimeve, burri me pasaportë letoneze dyshohet se ka pasur rol si koordinator logjistik dhe instruktor. Ai besohet se kishte hyrë në Gjermani në fund të korrikut përmes aeroportit të Berlinit dhe më pas kishte udhëtuar drejt Leipzigut me një makinë me qira.

Hetuesit kanë gjetur gjithashtu gjurmë ADN-je në pajisjet e përdorura në operacion. Gjurmë janë zbuluar në një nga dronët, në brendësi të një ene të mbushur me eksploziv dhe në një antenë të vendosur pranë aeroportit. Krahasimi me bazat evropiane të të dhënave i çoi hetuesit drejt të dyshuarit të dytë.

Autoritetet gjermane dyshojnë se në operacion mund të jenë përdorur më shumë dronë sesa ishte bërë e ditur fillimisht. Deri tani janë gjetur tre pajisje, të plota ose në pjesë.

 

Berlini akuzon Moskën, Rusia mohon

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, e ka cilësuar tentativën e sulmit në Leipzig si një operacion të planifikuar në mënyrë profesionale, me nivel të lartë të ekspertizës teknike dhe përpjekje të konsiderueshme organizative.

Qeveria gjermane thotë se gjetjet e hetimit tregojnë për persona që mund të kenë vepruar në emër të strukturave shtetërore ruse dhe e konsideron incidentin pjesë të modelit të “operacioneve hibride ruse” në Evropë.

Moska, ndërkohë, i mohon akuzat. Rusia ka hedhur poshtë përgjegjësinë për incidentin dhe i ka cilësuar akuzat gjermane si të pabazuara.

Hetuesit gjermanë janë skeptikë nëse dy të dyshuarit do të mund të dalin para drejtësisë, pasi besohet se janë larguar nga Evropa.

 

Dy ngjarje, një shqetësim për sigurinë

Shpërthimi në Augsburg dhe tentativë e sulmit në Leipzig kanë rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë në Gjermani. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka asnjë informacion zyrtar që t’i lidhë dy incidentet me njëri-tjetrin.

Ndërsa në Augsburg hetuesit ende po përpiqen të zbulojnë se çfarë e shkaktoi shpërthimin dhe kush qëndron pas tij, në Leipzig hetimi ka avancuar deri te identifikimi i dy personave me lidhje me Rusinë dhe te një akuzë e drejtpërdrejtë e qeverisë gjermane ndaj Moskës për përfshirje në operacion./Albinfo.ch