Lajme

Doli numri festiv i revistës albinfo.at për Austri

Revista albinfo.at vjen falas si një dhuratë për Vitin e Ri, për të gjithë ju që na lexoni dhe mbështeteni në këtë në rrugëtim të përbashkët

Në prag të ndërrimit të motmoteve, në vlugun e atmosferës festive dhe shkëmbimit të dhuratave me njëri-tjetrin, numri i 5-të me radhë i revistës albinfo.at, edicioni për Austri, tashmë është në duart tuaja.

Edhe ky numër vjen falas si një dhuratë për Vitin e Ri, për të gjithë ju që na lexoni dhe mbështeteni në këtë në rrugëtim të përbashkët.

Redaksia albinfo.at në Austri, në bashkëpunim me redaksinë albinfo.ch në Zvicër kanë sjellë edhe kësaj radhe një numër me tema të larmishme, të cilat kryesisht lidhën me shqiptarët në Austri.

Në ballinën e këtij numri të magazinës albinfo.at, kemi vendosur një nga personazhet më të njohura shqiptare në Austri, violinistin Shkëlzen Doli. Në një intervistë ekskluzive për albinfo.at, Shkëlzen Doli tregon gjithçka rreth fëmijërisë së tij, fillimeve të karrierës e deri tek angazhimet e sotme. I lindur në Elbasan dhe rritur në qytetin e bukur të Gjakovës, aty ku filloi edhe mësimet e para për violinë, Shkëlzeni karrierën e vazhdoi në Austri, duke u bërë pjesë e Filarmonisë së Vjenës. Ndonëse është ngjitur në shumë skena botërore, ai thellë tij mban një vend të veçantë për muzikën e pastër shqipe, të cilën e luan me shumë emocion. Shkëlzen Doli është tashmë krenari e shqiptarëve.

Albinfo.at  ka depërtuar edhe tek arbëreshet në Itali. Publicisti i njohur dhe veprimtari i palodhur shqiptar në Austri, Hazir Mehmeti, na sjell një reportazh me plot fotografi nga udhëtimi i tij disaditor tek shqiptarët në Kalabri dhe Sicili. Atje, ai ka takuar për se afërmi personalitete të shquara shqiptare, të cilët ende ruajnë më fanatizëm gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare. “Të vizitosh arbëreshët në Itali nuk është vetëm thjesht një vizitë, është takim me një pjesë të kombit tënd, një histori e tij e vjetër me gjithë krenarinë dhe tragjikën e saj. Është mësim i secilit mbi historinë kombëtare, aty ku takon gjakun e shprishur arbëror, i cili jeton akoma shekujve me gjithë mallin për Mëmëdhe me lotin arbëresh”, shkruan publicisti Hazir Mehmeti.

Në vazhdën e intervistave me miqtë tanë ndërkombëtarë, këtë herë, kemi realizuar një intervistë me eurodeputetin austriak, Andreas Schieder. Në këtë intervistë, pos tjerash politikani austriak thotë se “Kosova i ka bërë detyrat e saj, tani duhet unioni të mbajë premtimin e bërë”. Po ashtu nuk mungon as editoriali nga Ambasadori i Kosovës, Lulëzim Pllana, i cili flet për raportet e mira mes dy shteteve, Kosovë – Austri.

Redaksia e albinfo.at i ka vënë mision vetes që të sensibilizojë mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Austri. Më këtë rast, gjithçka rreth mësimit plotësues dhe Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë në Austri, flet kryetarja e shoqatës, Miradije Berisha.

Edhe në këtë numër albinfo.at prezanton bashkatdhetarë të suksesshëm, përmes portreteve dhe intervistave të realizuara me ta.

Po ashtu, shpalosim sukseset e një kompanie të suksesshme shqiptare në Austri, “Rexhaj Floor” me pronar Qemajl Rexhaj. Prezantojmë gjithashtu veterinarin Tunë Lazri, i cili është veterinari i parë shqiptar që ka arritur të hapë një ordinancë të veterinarisë në Vjenë.

Nuk mungojnë as portrete të shumë shqiptarëve të suksesshëm, të cilët me punë dhe sukseset e tyre dita ditës janë duke shkëlqyer në fusha të ndryshme në Austri. Dhe, jo vetëm këto, tema, reportazhe, intervista dhe shumë artikuj tjerë interesant mund t’i lexoni në këtë numër të revistës albinfo.at.

Duhet theksuar se edhe ky numër i magazinës albinfo.at u bë i mundur falë ndihmës së kompanive shqiptare në Austri dhe Kosovë.

Magazina albinfo.at sikurse deri më tani shpërndahet falas dhe mund të gjendet në autobusët e linjës Austri – Kosovë dhe Austri – Maqedoni, në Aeroportin e Prishtinës, në Ambasadën e Kosovës dhe të Shqipërisë në Austri, si dhe një numër i konsiderueshme i magazinës shpërndahet përmes postës në shumë shoqata, lokale dhe vende të tjera që frekuentohen nga shqiptarët kudo në  Austri.

Albinfo,at është revistë e shqiptarëve, për shqiptarët në Austri.

Andaj, niseni vitin me albinfo,at, sepse është revista e juaj!

Gëzuar Vitin e Ri 2022!