Shqipëria ka zgjeruar përfaqësimin e saj diplomatik në Austri me hapjen e Konsullatës së Nderit në qytetin Wiener Neustadt, në Landin e Austrisë së Ulët (Niederösterreich), transmeton albinfo.at.
Konsullata u inaugurua më 26 nëntor 2026, ndërsa në këtë funksion është emëruar Dr. Bernhard Müller, ish-kryetar i Bashkisë së Wiener Neustadt-it, i cili ushtron edhe funksione të tjera publike.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Shqipërisë në Austri, përzgjedhja e Müllerit erdhi pas konsultimeve me personalitete dhe përfaqësues të institucioneve qendrore austriake.
Në ceremoninë inauguruese morën pjesë dhe mbajtën fjalime përshëndetëse Kancelari Federal i Austrisë, Christian Stocker, Sekretarja e Shtetit, Ulrike Königsberger-Ludwig, si dhe anëtari i Qeverisë së Landit të Austrisë së Ulët, Sven Hergovich.
Gjatë ceremonisë, ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, vlerësoi edhe dy personalitete shqiptare të kësaj krahine, mjekët Dr. Danjel Koni dhe Dr. Aurel Toma, të cilëve iu dorëzuan Certifikata dhe Medalja e Mirënjohjes.
Ky vlerësim u dedikohet shqiptarëve që, përmes punës, integritetit dhe kontributit të tyre, kanë ndërtuar emër dhe respekt në shoqërinë austriake, duke nderuar origjinën e tyre shqiptare dhe vendin ku jetojnë.
Shqipëria tashmë ka tre Konsuj Nderi në Austri
Hapja e Konsullatës në Wiener Neustadt vjen vetëm një ditë pas inaugurimit të një tjetër Konsullate të Nderit në Linz, duke e zgjeruar më tej rrjetin e përfaqësimit të Shqipërisë në Austri.
Me këto zhvillime, Shqipëria tashmë përfaqësohet në Austri nga tre Konsuj Nderi:
- Mariane Graf, e angazhuar në promovimin e traditës dhe kulturës, si dhe në ndihmën sociale.
- Augustin Perner, me fokus në pastërtinë, teknologjinë mjedisore dhe mbrojtjen e ambientit.
- Dr. Bernhard Müller, i cili do të fokusohet në politikat e pushtetit vendor dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve lokale.
Ndërkohë, Ambasada e Shqipërisë ka bërë të ditur se është në proces të përzgjedhjes së një Konsulli të Nderit edhe për Landin e Salzburgut, i cili pritet të vijë nga fusha e mjekësisë.
Përmes hapjes së këtyre përfaqësive synohet forcimi i marrëdhënieve shqiptaro-austriake, zgjerimi i bashkëpunimit institucional dhe promovimi i Shqipërisë në rajone të ndryshme të Austrisë./Albinfo.at