Lajme

Dogana gjermane sekuestron 117 kilogramë marihuanë që kaluan përmes Zvicrës

Dogana gjermane sekuestroi 17 kuti kartoni nga Zvicra

Dogana gjermane ka sekuestruar një ngarkesë prej 117 kilogramësh marihuanë, e cila kishte kaluar përmes Zvicrës dhe ishte nisur drejt Çekisë, transmeton albinfo.ch.

Sipas Zyrës Kryesore të Doganës në Singen, në mesin e muajit qershor zyrtarët ndaluan për kontroll një furgon me targa të përkohshme holandeze në pikën kufitare të Bietingenit. Shoferi belg paraqiti dokumentacionin për tranzitin e mallrave nga Zvicra drejt Çekisë.

Dyshimet e doganierëve u ngritën kur në dokumente ngarkesa ishte përshkruar si “Dried Hemp Flowers” (lule të thara kërpi). Gjatë kontrollit të detajuar, ata zbuluan 17 kartonë, të cilët përmbanin 115 qese plastike të vakuumuara me marihuanë, me një peshë totale prej 117 kilogramësh.

Hetimet zbuluan se droga kishte mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zvicër përmes Aeroportit të Cyrihut, ndërsa destinacioni përfundimtar ishte një marrës në Çeki. Megjithatë, ende nuk dihet se si kjo ngarkesë arriti të hynte në Zvicër.

Shoferi nuk mundi të paraqiste lejen e nevojshme për tranzitin e kanabisit përmes Gjermanisë. Autoritetet gjermane rikujtojnë se importi, eksporti dhe tranziti i kanabisit nëpër territorin gjerman janë të ndaluara, me përjashtime shumë të kufizuara, si ato për përdorim të dokumentuar mjekësor.

Droga u sekuestrua, ndërsa ndaj shoferit është hapur procedurë penale./Albinfo.ch