Portrete të firmave
Dikur pjatalarës, sot biznesmen dhe politikan
E ka nisur nga asgjë, sot është një sipërmarrës i suksesshëm në Austri. Për më tepër, Lulzim Fejzullahi është edhe asamblist në Komunën Ebensee.
Lulzim Fejzullahi në Austri ka migruar në vitin 2002. Si 18-vjeçar, ëndërr e kishte të bëhej mekanik. Por rrugët e jetës e çuan në drejtime të tjera, për çfarë ai nuk pendohet. Si për çdo mërgimtar, edhe për Lulzimin fillimet ishin të vështira. Dyert për të arritur suksese i kishte të hapura, por kur nuk kuptonte asnjë fjalë, e gjitha shkon huç.
Me kohë gjen shoqëri dhe vend të punës. Fillon të punojë si ndihmës kuzhinier dhe në të njëjtën kohë të bëjë edhe një shkollim. “Nëntë muaj vetëm kam mësuar. Nga ora tetë deri në katër shkoja në shkollën profesionale, ndërsa nga ora pesë deri në nëntë në mbrëmje mësoja në kurs të gjuhës”, nis rrëfimin e tij për “albinfo.at” djaloshi nga komuna e Klinës.
Pas përvetësimit të gjuhës, por edhe shkollimit profesional, ai bëhet menaxher i një restoranti. Duke vazhduar të integrohet dhe në të njëjtën kohë edhe të arrijë suksese në mësime profesionale, Lulzimi hap një restorant në Ebensee, një vend ky mjaft turistik, pranë liqenit të njohur në Ebensee. Restoranti quhet “Wein & Fein”.
Ka në pronësi disa lokale hotelere
Lulzimi tashmë është një biznesmen i njohur në këtë komunë. Ai posedon disa lokale hoteliere dhe bujtina. Në vitet e fundit ka blerë edhe disa prona në Ebensee. Edhe një vendparking në qendër, i cili më parë ishte përdorur nga të gjithë, tani i takon atij. “Menaxhimi i mirë, përkrahja e pakursyer e bashkëshortes sime, miqësia me popullatën këtu, kanë bërë që unë dita – ditës të rritem si biznesmen. Tani së fundmi kam hapur edhe një restorant tjetër “DOSN beats & drinks”. Pra, gradualisht duke fituar përvojë, njeriu fillon edhe zgjerohet me biznese të tjera”, shprehet Lulzimi, i cili është baba i dy vajzave.
Po të shkoni në Ebensee, Lulzimi njihet thuajse nga të gjithë banorët. Jo vetëm për sukseset e tij në bizneset hoteliere, por edhe si politikan.
Lulzimi, asamblist në Komunën Ebensee
Në zgjedhjet e fundit komunale të mbajtura në vitin 2015, Lulzimi fitoi një vend këshilltari komunal në këtë Komunë. “Mendoj se puna ime, integrimi im dhe respekti i ndërsjellë ka qenë arsyeja që unë të votohem nga populli austriak dhe të jem pjesë e Këshillit komunal në këtë Komunë”. Ai mendon se do të vazhdojë të jetë pjesë e komunës edhe në mandatin e ardhshëm. “Do të kandidoj sërish në zgjedhjet e ardhshme komunale dhe besoj shumë se do të arrij të bëhem pjesë e politikës në këtë komunë”, thotë ai, duke treguar se do të kandidojë edhe për deputet të Parlamentit. “Unë tash e shumë vite jam pjesë e Partisë Socialdemokrate (SPÖ). Kam miqësi të mëdha nga krerët e partisë e më të gjitha strukturat e saj. Shpresoj shumë se do të kandidoj për deputet e pse jo, të behëm shqiptari i parë në Parlamentin austriak”.
Si një profesionist i hotelerisë dhe politikan i dëshmuar në Ebensee, synimet e tija janë që të krijojë kushte më të mira dhe atraktive për turistë si dhe të hape vende të reja të punës.
“E kam obligim moral që si biznesmen, por edhe si politikan këtë komunë ta bëjmë më joshëse dhe atraktive për turistë si dhe të hapim vende të reja të punës”, përfundon bisedën tonë Lulzim Fejzullahi.
E-Diaspora
-
Kurti takoi të rinjtë nga diaspora që janë pjesë e Programit për Diplomaci Qytetare Pas shkëmbimit të tyre në ngjarjen përmbyllëse të programit për bursistët e gjeneratës së dytë në...
-
Rita Ora pritet të prezantojë MTV Europe Music Awards
-
«Mednest24», spitex-i që flet shqip në Zvicër
-
Ramë Dardania ekspozon në zemrën e qytetit të vjetër të Gjenevës, ‘Faces’, në La Galeri
-
Vlore Krug: Arsimi është më shumë se vetëm shkolla
Jeta në Austri
-
Austri: Sindikata bën thirrje për rritje page në tregti dhe hekurudha Sindikata Vida po bën thirrje për paga më të mira ndërsa negociatat e negociatave kolektive fillojnë...
-
Ligjet e rrepta të shtetësisë mund të përjashtojnë miliona nga votimi në zgjedhjet e ardhshme të Austrisë
-
Vjena do të rrisë subvencionet për dritat e rrugëve të Krishtlindjeve
-
Mbahet Kuvendi Zgjedhor i PSHDK-së në Vjenë, Anton Marku zgjidhet kryetar
-
Universitetet e Austrisë përballen me rënie të numrit të studentëve, ndërsa presionet financiare rriten